Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky priti një mision ekspert nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në Kiev, sipas televizionit publik ukrainas.
Ai e quajti mbërritjen e misionit të IAEA në Ukrainë një nga çështjet më të rëndësishme të sigurisë për Ukrainën dhe botën sot.
Zelensky bëri thirrje për ”çmilitarizimin e termocentralit bërthamor të pushtuar nga Rusia në Ukrainën jugore, duke thënë se duhet të krijohet një zonë rreth termocentralit”.
Ai bëri thirrje gjithashtu për ”transferimin e termocentralit bërthamor nën kontrollin e shtetit ukrainas, si mënyra e vetme për të përjashtuar të gjitha rreziqet bërthamore”.
Të udhëhequr nga shefi i IAEA Rafael Grossi, 14 ekspertë planifikojnë të kalojnë vijën e parë për në termocentralin bërthamor dhe të kontrollojnë gjendjen e tij.
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer akuza për bombardime pranë termocentralit, i cili është termocentrali më i madh bërthamor në Evropë me gjashtë reaktorë. /atsh