Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, bëri të ditur se ndalimi i konflikteve do të shkonte në dobi të Rusisë dhe theksoi se nuk do të ketë pauzë në fushën e betejës, transmeton Anadolu.
Gjatë një vizite në Estoni, Zelenskyy u takua me presidentin Alar Karis. Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit në kryeqytetin Tallin, Zelenskyy foli për luftën me Rusinë dhe bashkëpunimin me NATO-n.
Presidenti ukrainas tha se skenari për ndalimin e luftës do të shkojë në dobi të Rusisë.
“Nuk do të ketë pauzë në fushën e betejës sepse një vendim i tillë shkon në dobi të Federatës Ruse dhe shkakton vazhdimin e luftës kundër Ukrainës në të ardhmen. Ky hap nuk e përfundon luftën, po ashtu nuk të çon as në dialog politik me Rusinë”, tha Zelenskyy.
Lidhur me çështjen e marrëdhënieve me NATO-n, Zelenskyy tha se “Në samitin në Washington e meritojmë ftesën në NATO. Kievi është gati për këtë hap. Kjo është garancia më e mirë e sigurisë që do të parandalojë Rusinë”.
Estonia premton 1,2 miliard euro ndihmë për Ukrainën deri në vitin 2027
Ndërsa presidenti i Estonisë, Alar Karis, rikujtoi se procesi i anëtarësimit në NATO është zgjatur shumë.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO duhet të përshpejtohet, theksoi Karis i cili tha se “Anëtarësimi në NATO është rruga e vetme për vetëmbrojtje për të gjitha vendet demokratike”.
Më tej Karis theksoi se Estonia do të sigurojë 1,2 miliard euro ndihmë për Ukrainën deri në vitin 2027.