Qytetarët në Hatay, Osmaniye dhe Adana në Turqi, si dhe në zonat e tjera të prekura nga tërmetet shkatërruese të shkurtit të këtij viti, dolën në vendvotime për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, raporton Anadolu.
Në Hatay, ku më shumë se një milion qytetarë kanë të drejtën e votës, votuesit vijnë që nga orët e mëngjesit për të kryer detyrën e tyre qytetare. Janë vendosur edhe kontejnerë të votimit në shumë lagje dhe shkolla që nuk kanë pësuar dëmtime serioze nga tërmetet dhe janë të sigurta për votim.
Transport falas drejt qendrave të votimit organizohet edhe për qytetarët që janë të vendosur përkohësisht në kontejnerë dhe çadra dhe që nuk kanë mundësi të lëvizin deri në vendvotim. Gjithashtu, qytetarët që nga orët e mëngjesit mbërrijnë në shkollat në Osmaniye dhe në Adana.
Qendrat e votimit në të gjithë Turqinë u hapën mëngjesin e sotëm në orën 08:00 sipas kohës lokale, duke shënuar fillimin e votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit. Më shumë se 64 milionë qytetarë të Turqisë me të drejtë vote, në raundin e dytë zgjedhin mes presidentit aktual Recep Tayyip Erdoğan, kandidat i Aleancës Popullore dhe kandidatit të Aleancës Kombëtare opozitare, Kemal Kılıçdaroğlu.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, të drejtë vote do të kenë edhe 47.523 zgjedhës shtesë në krahasim me raundin e parë, të cilët ndërkohë kanë mbushur 18 vjeç.
Në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtur më 14 maj, Erdoğan fitoi 49,5 për qind të votave dhe lideri i opozitës turke, Kemal Kılıçdaroğlu, 44,89 për qind të votave. Aleanca Popullore e Erdoğanit e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) fitoi shumicën në parlamentin e shtetit në raundin e parë.
Votimi në qendrat e votimit jashtë vendit dhe në pikat kufitare, në raundin e dytë, filloi më 20 maj. Të mërkurën ka përfunduar votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Turqisë jashtë vendit, në gjithsej 73 shtete. Votimi në pikat kufitare vazhdon deri në mbylljen e vendvotimeve të rregullta, sot deri në orën 17:00 sipas kohës lokale.
Sipas Komisionit Suprem të Zgjedhjeve të Turqisë, më shumë se 1,92 milionë qytetarë votuan në misionet e huaja dhe pikat kufitare të Turqisë. Pritet që rezultatet e para preliminare dhe jozyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të shpallen të njëjtën ditë, pas mbylljes së qendrave të votimit.