Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë sot se zgjedhjet e 23 prillit nuk do të shtyhen.
Konjufca kështu deklaroi pas mbledhjes së Kryesisë në Kuvend.
Ai tha se zgjedhjet në veri janë shtyrë njëherë në marrëveshje me ndërkombëtarët, mirëpo siç potencoi ai zgjedhjet e 23 prillit nuk do të shtyhen më dhe se kjo ka përfunduar si tregim.
Kreu i Kuvendit të Kosovës më tej deklaroi se pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 prillit nuk do të ketë formim të Asociacionit.
“Mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUNT-it edhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës serbe, jo Listës serbe por thjesht pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat janë paralajmëruar të mbahen më 23 prill nuk ka formim të Asociacionit. Ky ka qenë qëndrim i QUINT-it. Pra, qëndrimi ka qenë që nuk ka Asociacion pa pjesëmarrjen e…mendoj që Kosova nuk ka nevojë fare të lëviz nëse nuk ka zhvillime në këtë drejtim.
Pra, nuk mund të kushtëzohemi nga Vuçiqi, Beogradi, Serbisë që ata të vendosin që kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar, një kompromis i mëhershëm ka ndodh…Zgjedhjet janë shty njëherë dhe ato janë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtarëve dhe kemi marrë garanci që nuk do të shtyhen më dhe kjo ka përfunduar si tregim”, ka thënë Konjufca.
Ai tutje tha se “Serbia e mendon që kjo marrëveshje e ka vetëm një kapitull, e ka vetëm Asociacionin. E unë mendoj që Asociacioni është kapitulli i fundit i kësaj marrëveshje dhe kështu është në të vërtetë. Aty nuk ka as referencë eksplicite…”.