Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka njoftuar se rreth orës 4 të mërkurën është përfshirë nga zjarri një dhomë në këtë spital.
Sipas njoftimit dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.
“Rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e katërt të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar policia dhe zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik”, thuhet në njoftim.
Tutje është sqaruar se me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e teknologjisë informative është djegur. Spitali i Pejës tha se është në proces të konstatimit të dëmit material.
“Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur. Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”, tha njoftimi.