Zjarrfikësit në Spanjë po luftojnë nga toka dhe ajri, problematike situata edhe në Itali
Zjarret në pyje vazhdojnë të kërcënojnë disa vende evropiane. Në Spanjë, zjarrfikësit po luftojnë ende me zjarret shkatërruese që shpërthyen të hënën në Bejis, në rajonin e Valencias.
Aty zjarri ka shkatërruar tashmë 19 mijë hektarë pyje. Zjarri po vazhdon edhe në Vall D’ebo në provincën e Alicante, por situata atje është stabilizuar, raportojnë mediat spanjolle.
Në Itali, gjithashtu, ekipet e zjarrfikësve luftuan disa zjarre rreth Palermos të premten mbrëma. Ata u përpoqën të frenonin zjarret me ndihmën e avionëve, por situata është përkeqësuar nga temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Zjarri vazhdoi të përhapet nëpër pyje dhe arriti në autostradën midis Palermos dhe Catania. Ndërsa në Rusinë Qendrore avionë dhe helikopterë zjarrfikës u dërguan në rajonin Ryazan për të luftuar zjarret në pyje atje. Sipas Ministrisë Ruse të Situatave të Emergjencave, më shumë se 450 zjarrfikës janë angazhuar në përpjekje për të shuar zjarret. /klannews