Zvicra i ka quajtur “të papranueshme” deklaratat e fundit të ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, i cili tha se civilët në Gaza duhet të lihen të vdesin nga uria, transmeton Anadolu.
“T’i lësh qëllimisht civilët të vdesin nga uria është një krim lufte. Komentet e fundit të ministrit Smotrich janë të papranueshme”, theksoi Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës.
Ministria zvicerane tha se vendi pret q qeveria izraelite të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar.
Në një konferencë të organizuar nga e përditshmja izraelite ‘Hayom’, Smotrich tha se “askush nuk do të na lejojë të bëjmë që 2 milionë civilë të vdesin nga uria edhe pse kjo mund të jetë e justifikuar dhe morale derisa pengjet tanë të kthehen”.
Që nga inkursioni ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 40 mijë palestinezë në enklavën e rrethuar dhe ka detyruar zhvendosjen e shumicës së popullsisë palestineze prej 2.3 milionësh, ndërkohë që ka gjeneruar një uri masive dhe përhapje sëmundjesh.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e saj në Rripin e Gazës së rrethuar.