Zyrtarët shëndetësorë të Gazës kanë bërë thirrje për hetim pasi forcat izraelite u akuzuan për përdorimin e buldozerëve dhe lëshimin e qenve sulmues gjatë një bastisjeje në spitalin Kamal Adwan, raporton Anadolu.
Forcat izraelite bastisën spitalin javën e kaluar pasi e rrethuan dhe bombarduan atë për disa ditë.
Në një konferencë për media të mbajtur dje, Munir al-Bursh, drejtori i përgjithshëm i spitaleve në Rripin e Gazës dhe kreu i departamentit pediatrik të spitalit, Hussam Abu Safiya, thanë se forcat izraelite shkatërruan disa seksione të objektit mjekësor, mohuan qasjen në ndihmë dhe sulmuan stafin mjekësor, të plagosurit dhe civilët e zhvendosur që kërkojnë strehim.
“Porta e spitalit dhe zona përreth u bombardua, u qëlluan në ndërtesa brenda kompleksit të spitalit, kati i dytë ku ndodhet reparti i maternitetit u bombardua, drejtori i spitalit Ahmed al-Kahlout u arrestua dhe u dërgua në një vend të paditur”, tha ai, duke shtuar:
“Ushtarët izraelitë mblodhën civilët e zhvendosur të cilët kishin kërkuar strehim në spital dhe stafin mjekësor, i hodhën në një gropë të madhe gjysmë të zhveshur dhe lëshuan qen sulmues mbi ta. Makineritë izraelite të ndërtimit shkatërruan njësinë e oksigjenit të spitalit, rezervuarin e ujit, arkivin qendror dhe farmacinë”.
“Forcat izraelite përdorën një buldozer për të hapur një gropë të madhe në oborrin e spitalit dhe hodhën afërsisht 12 trupa të atyre që kishin vrarë në gropë. Ne nuk e dimë nëse ndonjë nga të plagosurit ishte në mesin e atyre që u hodhën në gropë. Ne kërkojmë një hetim ndërkombëtar për këto krime të tmerrshme”, shtoi ai.
Abu Safiya tha se trupat izraelite lëshuan një qen sulmues ndaj një personi të plagosur 75-vjeçar, i cili vdiq të nesërmen.
Ai tha se janë dëgjuar britma teksa ushtarët izraelitë kaluan me buldozerë mbi tendat në oborrin e spitalit dhe ata dyshojnë se, së bashku me trupat, disa njerëz u shtypën për vdekje.
Më herët, ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar për aktet izraelite.