RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmetShëndetësi

12 mjekë specialistë braktisën punën në QKUK në vitin 2023

12-mjeke-specialiste-braktisen-punen-ne-qkuk-ne-vitin-2023

Ikja e mjekëve nga Kosova dhe vazhdimi i ushtrimit të profesionit të tyre në vendet e Evropës ka qenë një ndër temat që më së shumti ka ngjallur debat në vend.

E, frika se institucionet shëndetësore mund të përballen me mungesë të mjekëve u shtua pasi në Kosovë hyri në fuqi liberalizimi i vizave. Sipas ekspertëve të ekonomisë, liberalizimi i vizave mund të prekë disa sektorë, ku në mesin e atyre që kërkojnë kushte me të mira të punës mund të jenë edhe mjekët.

Vetëm në vitin 2023, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë larguar 12 mjekë specialist, numër ky që konsiderohet të jetë i vogël nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës, thonë për Telegrafin se kërkesat për punësim janë shumë më të mëdha se sa ikja e mjekëve.

“Në 37 klinikat, shërbime dhe Institutet e QKUK-së, gjatë vitit 2023, janë vetëm 12 mjekë specialistë, që me vetëdëshirë kanë shkëputur marrëdhënien e punës, kurse kërkesa për punësim është shumëfish më e madhe, krahasuar me lëshimet e punës”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Telegrafin.

Më tej, Drejtoria e SHsKUK-së bën të ditur se nuk janë kompetentë për doktorët e mjekësisë dhe mjekët familjarë, por që tek QKUK është numër i vogël i mjekëve që kanë lënë punën me vetëdëshirë.

Lidhur me temën dhe gjendjen në sistemin shëndetësor, Telegrafi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.

Për sistemin shëndetësor në vazhdimësi ka pasur ankesa nga qytetarët. Ankesat e tyre kryesisht lidhen me pritjet e gjata nëpër klinika, në rast të nevojës për ndonjë ndërhyrje kirurgjike.

Related posts

Gjendje alarmi për shkak të rrezikut nga zjarri në jug të Francës

rezart morina

Tha se po konsideronte dorëheqjen pasi bashkëshortja e tij u mor nën hetim, kryeministri i Spanjës zbulon vendimin që ka marrë

admin

Scholz viziton Indinë

admin