Rritja e pagave nuk i ka bindur mjekët që të qëndrojnë në Kosovë. Vetëm sivjet, 155 nga ta kanë migruar, tregojnë të dhënat e Odës së Mjekëve. Në komunitetin e profesionistëve shëndetësorë është shprehur droja, se situata do të përkeqësohet në 2024-n, kur edhe liberalizohen vizat.
Përkundër zotimeve për ndalje të “ikjes së trurit”, sivjet 155 mjekë kanë braktisur Kosovën.
Në Odën e Mjekëve thanë se fluksi i të larguarve është më i vogël se vitin e shkuar, por shprehën drojën se situata do të përkeqësohet në 2024-n, kur edhe liberalizohen vizat.
“Tash jemi diku tek 155, që është numër më i vogël se vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë, më duket mbi 200, kështu që këtë vit e kemi një rënie të këtij numri të kërkesave për dokumentacionin e nevojshëm për largim dhe kjo shifër më e vogël se e vitit të kaluar, mund të them se mund të jetë e ndërlidhur edhe me liberalizimin e vizave. Dhe mund të shohim se një rritje mund të ndodhë në vitin e ardhshëm, por këto janë krejt prezumime të cilat ne duhet të presim”, ka thënë kryetari i Odës, Pleurat Sejdiu.
Oda e Mjekëve ka hulumtuar motivet e largimit të profesionistëve shëndetësorë. Deri sivjet ikja është arsyetuar kryesisht me pagat e ulëta, por kur ato janë rritur, arsyeja ka ndryshuar.
“Deri më tani ka qenë paga, nëse jo arsyeja e parë, e dyta. Tani, pagat janë në vendin e tretë, por arsyeja kryesore ende qëndron papunësia, sepse shumica janë mjekë të rinj dhe të papunë. Ne kemi mbi 550 mjekë – nuk e kam shifrën e saktë tani – që janë të papunë dhe këta janë, ata që janë duke kërkuar punë dhe janë shumica e tyre që janë duke u larguar. Kjo është. Dhe arsyeja e dytë, kushtet e punës dhe kushtet kualitative të specializimeve sepse janë të gjithë ata që presin, e pastaj vjen paga”, ka thënë Sejdiu.
Edhe anëtari i Komisionit parlamentar për shëndetësi, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në një intervistë në emisionin “60 minuta” në KTV, ka thënë se kryesisht mjekët e rinj janë ata që largohen.
“Këta janë mjekë të rinj, të cilët nuk po shohin perspektivën në vend. Shkojnë në vende të tjera, ndërsa kapaciteti ynë të diplomuar mjekë, diku sillet – nëse nuk gaboj – brenda vitit ka qenë diku 100, 122, por prapë nuk është 150. Ku janë ata të sëmurët, ku janë ata të cilët pensionohen. Pra, domethënë, ne jemi në një trend të zvogëlimit të stafit mjekësor dhe profesional në vend”, ka thënë Dreshaj.
Në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar nuk treguan për numrin e profesionistëve shëndetësorë, që janë larguar sivjet nga ky institucion.
KOHA ka raportuar për mungesën e specialistëve të disa fushave, e që kjo është përcjell edhe me anulim terminësh për operime.