RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

20 pacientëve me kancer u vonohet rrezatimi

20-pacienteve-me-kancer-u-vonohet-rrezatimi

Aparatura e vetme për rrezatim që aktualisht funksionon në Klinikën e Onkologjisë nuk është duke punuar në të gjitha teknikat, duke lënë kështu rreth 20 pacientë në pritje për shërbimin e radioterapisë. Menaxhmenti i Klinikës fillimisht mohoi se aparatura nuk është plotësisht funksionale, por më pas pranoi se ka module që nuk i punojnë
Mosintegrimi i një pjese në aparaturën e rrezatimit në Klinikën e Onkologjisë ka ndikuar që një pjesë e pacientëve të mos e marrin këtë shërbim në Qendrën Klinike Universitare.

Aparatura për radioterapinë, që e parandalon rritjen e qelizave kancerogjene dhe shkatërrimin e tyre, funksionon vetëm me teknikën 3d, nga dy sosh që i ka.

Për pasojë, pacientët treguan në kushte anonimiteti për pritje të gjata dhe për detyrimin që terapisë t’i nënshtrohen edhe në institucione private jashtë vendit.

E në Onkologji thanë se pacientëve u është thënë që do të informohen nëpërmjet telefonit, kur pajisja të rregullohet.

Burime të KOHËS në Onkologji bënë të ditur se aktualisht në funksion është vetëm një aparaturë, pasi pajisja e re e rrezatimit, e vendosur javë më parë, është ende në proces të instalimit.

ShSKUK deri vonë kishte dy aparatura për rrezatim. Por njëra aparaturë për shkak të vjetërsisë dhe prishjeve që ka pësuar kohë pas kohe është hequr nga përdorimi një muaj më parë. Kjo ka shkaktuar edhe grumbullim e dyfishim të pacientëve në pritje.

Drejtori i Klinikës, Ilir Kurtishi, fillimisht i mohoi defektet në aparaturë, por pas insistimit të KOHËS tha që në pajisje aktualisht nuk punojnë disa module, teksa shtoi se pacientët po marrin shërbim.

“Aparati është duke punuar. 13-përqindëshi (i pacientëve) që janë, 7-18 veta, prej tyre nga një nga dy kanë hyrë. Dje kanë hyrë dy-tre të tjerë. Se nuk po mundet ajo derisa ta ndërrojmë atë pjesën. Kanë thënë që e sjellin dje, por u vonua edhe sot. Ata që kanë pritë nja 10-20 sa kanë qenë, disa prej tyre i kanë kryer dje, disa pardje. Se nuk po munden këta 20 përnjëherë se është pak ai defekti”, ka thënë Kurtishi.

Për defektin e aparaturës dhe për atë se për cilat patologji nuk mund të marrin trajtim pacientët aktualisht, KOHA ka kërkuar sqarime edhe përmes email. Kurtishi ka dhënë zotimin se pajisja së shpejti do të jetë funksionale në kapacitet 100 për qind.

“Në Shërbimin e Radioterapisë janë duke u rrezatuar 64 pacientë, prej të cilëve shumica me rrezatim 3D ndërsa 8 pacientë me IMRT. Sipas menaxherit të kontratës së aparaturës dhe shërbimit të servismit, këto ditë do të jetë funksional 100% Linacu. Meqenëse jemi në fazën finale të instalimit edhe të një Linacut të Ri, shpresojmë që në të ardhmen mos të kemi probleme të tilla”, ka thënë Kurtishi.

KOHA pati raportuar edhe në maj se njëra nga dy aparaturat ekzistuese në atë kohë pësoi defekte dhe doli jashtë funksionit.

Në korrikun e shkuar, pjesa më e madhe e aparaturave të rrezatimit në Klinikën e Onkologjisë pati dalë jashtë funksionit për gati dy javë, shkaku i dëmtimeve të pësuara nga përmbytja e bodrumit ku ishin të vendosur.

Më 18 korrik, Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se në Onkologji së shpejti do të jenë në shërbim aparatura e re e radioterapisë, për të cilën KOHA pati shkruar në shkurt se pajisja e blerë në vlerë afro 1 milion e gjysmë euro s’ishte vënë në përdorim as pas gjashtë muajsh, si pasojë e mungesës së një bunkeri ku do të vendosej, për të mos i rrezikuar pacientët dhe stafin nga rrezatimi.

Related posts

Publikohet raporti i UNDP-së, bie kënaqshmëria me punën e Qeverisë dhe kryeministrit

rezart morina

Scholz: Gjermania do të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s

rezart morina

Kurti: Vuçiq po pretendon rrejshëm se shqiptarët do të mblidhen tek Ura e Ibrit

RTI