RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

22 nëntori Dita e Abetares, Malo: Synojmë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare

22-nentori-dita-e-abetares,-malo:-synojme-te-marre-jehone-ne-mbare-trevat-shqiptare

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot ndryshimet ligjore që Dita e Abetares, 22 nëntori, të jetë pjesë e kalendarit të festave kombëtare.

Po ashtu Komisioni i Ligjeve miratoi dhe një projektligj në fushën e arsimit. Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit të lartë brenda sistemit të programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare, i referuar si “CEEPUS IV”.

Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut mori në shqyrtim dy projektligje. Fillimisht u shqyrtua projektligji për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga Artemis Malo, zëvendësministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe u relatua nga deputeti Klevis Xhoxhi.

Zëvendësministrja Malo sqaroi se shtesa në projektligj synon vendosjen e datës 22 nëntor, Ditës së Alfabetit, si festë zyrtare dhe nënvizoi se kjo ditë e njësuar në Kongresin e Manastirit, është e njohur tashmë si festë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ndër të tjera, Malo sqaroi se propozimi erdhi pas zhvillimit të Samitit të Diasporës, vitin e kaluar, dhe e propozuar si e tillë me këtë projektligj edhe në Shqipëri, synohet të jetë tradicionale dhe të marrë sa më shumë jehonë në mbarë trevat dhe diasporën shqiptare.

Relatori i çështjes Xhoxhi vlerësoi se projektligji vjen në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe duke nënvizuar rëndësinë e kësaj date për historinë e vendit tonë, ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore “CEEPUS IV”. Projektligji u prezantua nga Albana Tole, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit, e cila u ndal tek qëllimi dhe risitë, duke parashtruar se me anë të kësaj marrëveshjeje synohet nxitja e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit të lartë brenda sistemit të programit të shkëmbimit të Evropës Qendrore për studimet universitare, i referuar si “CEEPUS IV”.

Tole detajoi se palët nënshkruese të CEEPUS-it bashkëpunojnë nëpërmjet rrjeteve universitare, me tematikë specifike të një cilësie të lartë, duke ofruar kuadrin e duhur për lëvizshmërinë e studentëve, studentëve të doktoratës, kërkuesve, personelit akademik dhe personelit universitar. Zëvendësministrja sqaroi se fal marrëveshjes, ofrohen grante të plota (bursat CEEPUS) për mbulimin e shpenzimeve për jetesën, tarifat laboratorike dhe siguracionin shëndetësor bazë për studentë dhe pedagogë në vendin pritës për periudhën e Mobilitetit, të cilat përshtaten me koston e jetesës së vendit pritës. Deputeti z. Eduard Ndreca në cilësinë e relatorit vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. /atsh

Related posts

Kosova dhe Turqia lidhin marrëveshje në fushën ushtarake

admin

Abazoviq: Turqia një vend kyç për Ballkanin

admin

BE-ja miraton përdorimin e vaksinës kundër lisë së majmunëve

admin