Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdimin e hetimit të rastit “Fajdeja”, ka arrestuar edhe një të kërkuar të përfshirë në këtë vepër penale.
Po ashtu, në njoftimin e tyre thuhet se Policia ka kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të arrestuarit, derisa në vitin 2023 i njëjti është vendosur në kërkim policor.
“Më datën 11.04.2024, rreth orës 01:30, pas një pune operative dhe hetimore nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar është arrestuar i dyshuari A.G. si i dyshuar në rastin penal “Fajdeja”. Më datën 17.05.2023, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit A.G. në Komunën e Vushtrrisë, ku gjatë kontrollit i dyshuari nuk është hasur në shtëpi dhe të njëjtit i është lënë ftesë që të paraqitet në polici në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa po më të njëjtën datë 17.05.2023, i njëjti është vendosur në kërkim policor në sistemin e policisë dhe është arrestuar dje më datë 11.04.2024”, thuhet në komunikatë.
Në rastin “Fajdeja”, të dyshuar janë 36 persona, mirëpo deri më tani si të dyshuar janë arrestuar gjithsej 28 persona.
“Gjatë hetimeve të kryera deri me tani në këtë rast si të dyshuar janë tridhjetë e gjashtë (36) persona të përfshirë në rastin “Fajdeja” dhe nga ta, deri më tani si të dyshuar, janë të arrestuar njëzet e tetë (28) persona. Po ashtu ende ka persona ne kërkim policor dhe me urdhër arrest te lëshuar. Gjatë hetimeve të rastit me autorizim të prokurorit të rastit dhe urdhëresë të gjykatës janë zhvilluar masa intensive të avancuara hetimore, ndërsa rasti është ende në hetim nga ana Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet tutje.
Njëherit, në komunikatë kanë shkruar se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe zbulimin e të gjitha veprave penale në vend, me theks të veçantë ato në kuadër krimeve të rënda dhe korrupsionit
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore që të arrestuarit t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2022, i pandehuri i lartcekur, ka kontraktuar një shumë jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tij, në atë mënyrë që i dëmtuari S.B., është detyruar që të marr para hua nga i pandehuri A.G., në shumë prej 60.000 euro, për të cilat ka paguar fajde në shumë prej 90.000, me këtë do të kryente veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 paragrafi 3 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë./