Tre serbëve të arrestuar për “krime lufte kundër popullatës civile” u është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim, ka konfirmuar ekipi mbrojtës i të dyshuarve.
Njëri prej avokatëve të të pandehurve ka deklaruar para mediave të enjten se klienti i tij akuzohet për krime, por nuk është e qartë se për çka bëhet fjalë.
“Ata ngarkohen për veprën penale të krimit të luftës. Por t’ua them të drejtën, nga arsyetimi i kërkesës për caktimin e paraburgimit, nuk keni mundur të shihni se kush për çka ngarkohet konkretisht, se çfarë ka ndodhur dhe kur si dhe se përse këta njerëz e kanë këtë akuzë. Thash edhe më herët, një kërkesë paraburgimi kaq konfuze, të paqartë, joprofesionale e të keqe nuk kam parë deri më sot në 28 vjetët e mia sa merrem me avokaturë”, ka deklaruar avokati Ljubomir Pantoviq.
Sipas avokatit, kërkesa për paraburgim është “krejtësisht e kundërligjshme, e paqartë dhe joprofesionale”, derisa ka shtuar se njëri prej të arrestuarve ka probleme shëndetësore.
“Mjerisht gjyqtari e pranoi një kërkesë konfuze, të keqe, boshe dhe joprofesionalisht të përpiluar për caktimin e paraburgimit, i cili është i përpiluar jashtëligjshëm, pa fakte, pa dëshmi dhe dua që me këtë rast të them se, mjerisht, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që është kompetent për procesimin e krimeve të luftës, nuk ka mjaftueshëm fuqi apo vullnet e dëshirë që këto veprime t’i zbatojë në përputhje me Ligjin”, ka thënë Pantoviq.
Sipas tij, Gjykata nuk ka marrë parasysh as mendimin e mjekut të një prej të të dyshuarve se “paraburgimi do t’ia përkeqësojë gjendjen në mënyrë drastike”.
“Pra, mjekësia ka thënë se ai nuk është për paraburgim porse, mjerisht, gjykatësi vendosi ashtu siç vendosi”, ka shtuar ai.
I.E, D.M. dhe Z.K. janë arrestuar gjatë së mërkurës.
Të enjten, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se është në kontakt me autoritetet e Kosovës për të pasur më tepër informacion mbi arrestimin e tyre.