Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili po qëndron në paraburgim në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë po vizitohet nga prindërit e tij, pas gati 2 vjet qëndrimi në paraburgim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ish-presidenti Thaçi ka pritur për vizitë prindërit e tij nga ora 9 e mëngjesit ndërsa do të ketë mundësi të qëndrojë bashkë me ta deri në orën 4 të pasdites.
Prindërit e ish-presidentit Thaçi e kishin shprehur dëshirën për ta takuar të birin e tyre edhe gjatë takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në shtëpinë e tyre, në Burojë të Skënderajt.
Takimi i fundit i ish-presidentit Thaçi me prindërit ka qenë më 5 nëntor të vitit 2020.
Aktakuza ndaj ish-presidentit Thaçi është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Mbi ish-presidentin Thaçi si dhe ish-pjesëtarët tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë rëndon akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të cilët gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, janë deklaruar të pafajshëm që në seancat e para.