Era e keqe e gojës ose halitosis, termi mjekësor për të, është ndoshta një nga situatat më të sikletshme që mund të kalojmë. Ka arsye të ndryshme pse shfaqet ky problem dhe ndonjëherë mund të jetë tregues i një problemi më serioz.
Shkaqet
1. Ngrënia e shumë erëzave dhe ushqimeve me erë të keqe
Nuk është sekret që ushqimet me erë të keqe, si hudhra dhe specat e djegës, mund të lënë një erë të pakëndshme në gojën tonë. Kjo për shkak se ato absorbohen në qarkullimin tonë të gjakut dhe derisa të largohen plotësisht nga trupi ynë, ato ndikojnë në frymëmarrjen tonë. Kjo është arsyeja pse ju mund të keni vënë re se edhe nëse i lani dhëmbët pasi të keni ngrënë këto ushqime, aroma dhe shija e tyre ende mbetet në gojën tuaj.
2. Mos larja dhe pastrimi i dhëmbëve me perin dentar çdo ditë
Këto 2 aktivitete janë shumë më të rëndësishme me sa mund ta kuptojmë, pasi ato largojnë grimcat e vogla të ushqimit që mbesin në gojën tonë. Këto grimca do të grumbullohen dhe do të fillojnë të shpërbëhen në gojën tonë, gjë që do të krijojë një erë të pakëndshme. Gjithashtu, nëse nuk i lani dhëmbët rregullisht, formohet pllaku, që mund të shkaktojë inflamacionin e mishrave të dhëmbëve. Ky problem quhet periodontitis dhe është një ndër shkaqet që krijon erën e keqe, nëse nuk trajtohet.
3. Problemet shëndetësore, si goja e thatë dhe kushte të tjera
Goja e thatë ose, siç njihet në komunitetin mjekësor, Xerostomia, është kur goja nuk prodhon mjaftueshëm pështymë. Si rezultat, goja nuk mund të fshijë të gjitha grimcat e ushqimit, të mbetura brenda, dhe për këtë arsye ato bllokohen dhe fillojnë të dekompozohen. Por, ky nuk është shkaku i vetëm i tharjes së gojës, pasi problemin mund ta krijojnë edhe medikamente të ndryshme dhe çrregullimet e gjëndrave të pështymës.
Përveç kësaj, edhe infeksionet dhe inflamacionet që shfaqen në gojë, hundë dhe bajamet tona, mund të prodhojnë erë.
4. Dieta
Dieta e rreptë është e pashëndetshme dhe e rrezikshme në të gjitha aspektet, por gjithashtu mund të çojë në halitosis.
Trajtimi
1. Pastroni gojën dhe lani dhëmbët të paktën dy herë në ditë
Mbajtja e higjienës së përgjithshme orale është hapi numër një. Është më mirë të lani dhëmbët të paktën dy herë në ditë dhe të pastroni dhëmbët me perin dentar të paktën një herë në ditë. Gjithashtu, duhet të mbani mend që të ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 2-3 muaj, dhe të lani edhe gjuhën.
Një tjetër ide e mirë do të ishte shpërlarja e gojës së paku dy herë në ditë, me ndonjë dezinfektues. Duhet të zgjidhni një dezinfektues antibakterial ose antiseptik me fluor, që vret të gjitha bakteret dhe parandalon sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.
2. Zgjidhni çamçakëz në vend të mentes, pas shujtave.
3. Pini shumë ujë për të shmangur tharjen e gojës.
4. Mund të provoni disa ilaçe shtëpiake.
Hulumtimet kanë treguar se njerëzit që kanë ngrënë kos për 6 javë kanë pasur një reduktim të erës së keqe. Nëse dëshironi ta provoni këtë, do t’ju duhet të hani të paktën 1 porcion kos të thjeshtë pa yndyrë, në ditë. Por, nëse kjo nuk është diçka që ju pëlqen, mund të provoni të pini pak lëng portokalli ose të hani disa portokalle në ditë.
Hulumtimet kanë treguar se portokalli ndihmon në prodhimin e pështymës, e cila e mban gojën të hidratuar dhe të mbrojtur nga bakteret. Për më tepër, çaji jeshil është vërtetuar gjithashtu se ka veti deodoruese dhe dezinfektuese. Mund të filloni të pini 1-2 filxhanë në ditë. Mund ta përgatisni një natë më parë, ta ftohni në frigorifer dhe ta konsumoni në punë ditën tjetër.