RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

63 palestinezë të vrarë në Gaza në 24 orët e fundit, numri i të vdekurve rritet në 31.533

63-palestineze-te-vrare-ne-gaza-ne-24-oret-e-fundit,-numri-i-te-vdekurve-rritet-ne-31.533

Të paktën 63 palestinezë u vranë dhe 112 të tjerë u plagosën në 24 orët e fundit derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës së rrethuar, transmeton Anadolu.

“Okupacioni izraelit kreu shtatë masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 63 dëshmorë dhe 112 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza.

Duke shpërfillur një vendim të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon me ofensivën e tij në Rripin e Gazës, ku të paktën 31.533 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 73.546 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Armiqësitë kanë vazhduar të pandërprera, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare.

Related posts

Tetë migrantë të vd’ekur teksa përpiqeshin të shkonin nga Franca në Angli

rezart morina

Masakra në Cetinjë, kryeministri Abazoviq shpall tri ditë zie në Mal të Zi

admin

Aktakuzë kundër 7 personave për kontrabandë me migrantë

admin