RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri, shtyhet sërish seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-presidentit Meta

shqiperi,-shtyhet-serish-seanca-gjyqesore-per-ceshtjen-ndaj-ish-presidentit-meta

Seanca gjyqësore e planifikuar të zhvillohej sot për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, është shtyrë sërish, raporton Anadolu.

Në seancën e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ishte planifikuar të vendosej nëse çështja ndaj Metës do të kalojë apo jo në gjykim.

Për Anadolu, GJKKO-ja konfirmoi se pala mbrojtëse e Metës ka kërkuar kohë për t’u njohur me provat shtesë të paraqitura nga prokuroria dhe seanca e radhës është shtyrë për datë 17 nëntor.

Sipas gjykatës, avokati i ish-presidentit Meta ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryesueses së seancës, kërkesë për të cilën akoma nuk ka vendim.

Gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar muajit e fundit kërkesat e ish-presidentit Meta për lirimin nga paraburgimi apo për masë tjetër sigurie, ndërkohë janë shtyrë disa seanca mbi kalimin ose jo të çështjes në gjykim.

– Çështja ndaj ish-presidentit Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit CEZ-DIA” dhe për “kontrata lobimi në SHBA” dhe aktualisht është në paraburgim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.

Related posts

Trazira në Leeds, pasi shërbimet sociale morën katër fëmijë nga një familje

admin

Izmir Zeqiri arrin në objektin ku do të betohet

Muhamet Ramadani

Trump mbron reagimin e SHBA-së ndaj hantavirusit dhe tërheqjen nga OBSH-ja

Kushtrim Guraj