RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri, mbahet bashkëbisedimi me temë “Letërsia turke në shqip”

shqiperi,-mbahet-bashkebisedimi-me-teme-“letersia-turke-ne-shqip”

Në Shqipëri është mbajtur bashkëbisedimi me temë “Letërsia turke në shqip”, në kuadër të panairit të librit “Tirana 2025”, raporton Anadolu.

Gjatë aktivitetit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është prezantuar edhe romani “I humburi” (Kaybolan) i shkrimtarit Tarık Tufan, përkthyer në shqip nga Prof. Asoc Lindita Xhanari Latifi, pedagoge e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kagan Atay, në fjalën e tij tha se një nga misionet dhe detyrat më të rëndësishme për një ambasador është të sjellë më pranë dy popujt. “Ne jemi vërtet shumë afër me njëri-tjetrin”, theksoi ai.

“Mua gjithmonë kur më bëhet pyetja se si mund të përshkruhen lidhjet dhe marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë, përgjigja që u jap njerëzve është ‘lexoni Sami Frashërin dhe do ta kuptoni të gjithë brendësinë dhe gjithë ndjeshmërinë që kanë këto marrëdhënie’. Mendoj se simboli dhe të pasurit e një shkrimtari të tillë si Sami Frashëri mund të jetë rasti i parë që ndikon në letërsinë e të dyja vendeve dhe që i ka ndihmuar si marrëdhëniet politike dhe gjitha marrëdhëniet e tjera që janë mes dy vendeve”, tha Atay.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në universitetin e Tiranës, Mark Marku, u shpreh se ka qenë pikërisht përkthimi i letërsisë turke në shqip që ka bërë që ai ta njohë letërsinë turke.

“Kjo ngjarje mendoj se është dëshmi e gjallë e një procesi të gjatë të komunikimit ndërkulturor mes kulturës turke dhe kulturës shqiptare. Është një lloj dëshmie e lidhjeve të thella, të gjalla, historike dhe kulturore, por edhe shpirtërore mes dy popujve tanë, një dëshmi e fuqisë së përkthimit si mjet i komunikimit dhe njohjes mes popujve, kulturave dhe letërsive”, tha Marku.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, në fjalën e tij u ndal në aktivitete e institutit në Shqipëri dhe në vendet e tjera.

“Nga njëra anë kemi aktivitete të ndryshme për mësimin e gjuhës turke dhe nga ana tjetër kemi treguar edhe bashkëpunimin tonë për të shpërndarë më tepër kulturën turke. Emri Yunus Emre është një emër shumë i rëndësishëm. Në momentin që lexon poezitë e tij nuk shihet asgjë tjetër përveç dashurisë dhe mirënjohjes”, tha Sakoglu.

Përkthyesja e romanit “I humburi” (Kaybolan) në shqip, Prof. Asoc Lindita Xhanari Latifi, në fjalën e saj tha se ky roman nuk është thjesht një histori; por sipas saj është një “udhëtim i brendshëm, një përballje me kujtimet, një kërkim i identitetit dhe një rikthim tek vetja”.

“Ky përkthim ka një domethënie të veçantë për mua. Është romani i 35-të që kam përkthyer. Projekti (TEDA) ka hapur dyert e letërsisë turke drejt gjuhëve të botës. Falë tij, kam pasur mundësinë të përkthej një numër të madh librash dhe më e rëndësishmja: t’ua sjell këto vepra lexuesve shqiptarë, veçanërisht të rinjve, duke u dhuruar atyre kulturën dhe shpirtin e letërsisë turke”, tha ajo.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe përfaqësuesja e Shtëpisë Botuese “Muza”, Klodiana Metani.

Aktiviteti është organizuar nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre” – Tiranë në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Muza” dhe pjesë ishin edhe shkrimtarë, studiues dhe studentë.

Edicioni i 28-të i panairit të librit “Tirana 2025” organizohet në datat 12-16 nëntor nën kujdesin Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve të tjera.

Related posts

Joe Biden nën presion të ri nga demokratët për t’u larguar, ndërsa presidenti ndërpret fushatën për shkak të infektimit me Covid

admin

KQZ parashikon mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Muhamet Ramadani

“Po i presim ato armatime për të ndryshuar situatën në fushën e betejës”- Zelensky ripërsërit kërkesën për sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”

admin