RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

PDK-ja e LDK-ja mobilizohen për “rrugën përpara” pa Kurtin

pdk-ja-e-ldk-ja-mobilizohen-per-“rrugen-perpara”-pa-kurtin

Duke e akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti se po e izolon Kosovën dhe se po ia humb përkrahjen ndërkombëtare, kryetarët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi i PDK-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së, kanë paralajmëruar rrugë të re përpara. Krasniqi ka theksuar se këtë do ta diskutojë në Këshillin Drejtues të partisë, e Abdixhiku ka bërë të ditur se do të flasë me shoqërinë civile e me mediat.

Dy partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar mobilizime partiake e me akterë të tjerë si përgjigje për situatën në të cilën gjendet vendi, pas kërcënimit ndërkombëtar me masa.

Lideri i PDK-së të premten ka thënë se në këtë periudhë, kur Kosova po përballet me sanksione nga ndërkombëtarët për shkak të çështjes së veriut, ka qenë vazhdimisht në terren duke bashkëbiseduar me anëtarësinë dhe me qytetarë anekënd vendit, të cilët, sipas tij, janë të shqetësuar me gjendjen e rëndë në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar se pas mbi 150 takimeve gjithandej vendit, ka ftuar mbledhjen e Këshillit Drejtues (KD) të PDK-së dhe ka deklaruar se kjo mbledhje do të jetë edhe për “rrugën që është para nesh”.

“Mbi të gjitha, për vendimet dhe veprimet që i kërkon kjo periudhë sfiduese. Situata nuk është normale dhe nuk mund ta simulojmë normalitetin. Qytetarët kanë nevojë për qartësi në këtë kohë konfuzioni. Dhe një gjë është më se e qartë: Kosova nuk mund të mbetet edhe më tutje peng e tekeve të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, tek ka dhënë paralajmërimin për mbledhjen e KD-së së PDK-së.

Një ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar mobilizim tjetër. Ai ka thënë se do të ftojë akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, media e opinionistë për të ndërtuar “rrugën e vërtetë”. Ai ka thënë se “Kosova ka rrugë të re”, e në të sipas tij, “nuk ka Albin Kurti”.

“Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne”, ka shkruar ai duke kërkuar “ndihmën e të gjithëve”.

“Do t’ua prezantoj edhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot”, ka theksuar ai.

Pavarësisht deklarimeve në Facebook, mocioni i mosbesimit, i iniciuar nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk ka marrë mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së.

Javën e shkuar, kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i ka akuzuar të dyja partitë për mospërkrahje të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Gjuha e opozitës ndaj Qeverisë është ashpërsuar pas qëndrimeve kritike e paralajmërimeve të ndërkombëtarëve për sanksione ndaj Kosovës, për shkak të këmbënguljes së Qeverisë për të mos vepruar konform kërkesave të ndërkombëtarëve për veriun.

Që nga 26 maji, në veri të vendit ka pasur tensione, pasi serbët lokalë nisën protesta kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale të katër komunave veriore. Protestat në fillim qenë të dhunshme e më pas u qetësuan. Situata u përshkallëzua në mes të qershorit kur Serbia kidnapoi brenda territorit të Kosovës tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Pas tensioneve, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ftuan për takim urgjent në Bruksel, por Vuçiqi refuzoi takim trepalësh.

Të premten, në një samit të BE-së në Bruksel është bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm e është paralajmëruar se nëse kjo s’bëhet do të ketë “pasoja negative”.

Related posts

Kreu i veteranëve e kërcënon me vrasje Kurtin

rezart morina

Hill në Luginë të Preshevës: Shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë të ShBA-së

rezart morina

Krasniqi takohet me Escobar: Fuqizimi i raporteve strategjike me SHBA-të është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm

rezart morina