Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën Çeke me ftesë të presidentit çek, Petr Pavel, ndërkohë është pritur nga homologu i tij me ceremoni shtetërore në Pragë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se presidenti Begaj zhvilloi takimin kokë më kokë më homologun Pavel dhe pas takimit me praninë e delegacioneve përkatëse u mbajt konferenca e përbashkët për mediat.
Sipas njoftimit, integrimi i Shqipërisë në BE, mbështetja e Republikës Çeke në këtë proces, thellimi i bashkëpunimit ekonomik e kulturor, çështje të sigurisë evropiane dhe euroatlantike ishin në fokus të takimeve.
“Presidentët Begaj dhe Pavel konfirmuan angazhimin për forcim të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë për të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe për paqen e stabilitetin në Evropë. Duke iu referuar lidhjes së miqësisë dhe solidaritetit mes dy popujve dhe marrëdhënieve diplomatike 103-vjeçare, presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi po shënon një kapitull të ri, të bazuar në partneritet, vlera të përbashkëta demokratike dhe aspirata evropiane”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu theksohet se Begaj është shprehur se Çekia është një mbështetëse e palëkundur e Shqipërisë në rrugën evropiane.
“Çmojmë, gjithashtu, që gjatë Presidencës çeke (të BE-së) u realizua liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës. Shqipëria i është mirënjohëse Çekisë për hapat pozitivë në drejtim të marrëdhënieve me shtetin më të ri të Evropës, të Kosovës, ku dëshiroj të falënderoj presidentin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Pragë. Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe ne e çmojmë shumë mbështetjen e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për shtimin e njohjeve të reja”, ka theksuar Begaj.
Duke theksuar se Shqipëria ka bërë përparime në procesin e integrimit dhe ritmet e saj kanë qenë të qëndrueshme për të përafruar legjislacionin me politikat evropiane, Begaj ka shtuar se: “Progresi i Shqipërisë mori së fundmi edhe vlerësime pozitive nga progres raporti dhe këtë javë arritëm hapjen e të gjithë grupkapitujve, që e bënë më realist objektivin tonë për mbylljen e të gjithë grupkapitujve në vitin 2027 dhe për anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030”.
Gjatë vizitës, Begaj u prit në takime të veçanta nga kryeministri në detyrë i Republikës Çeke, Petr Fiala dhe nga përfaqësues të Senatit dhe Dhomës së Deputetëve.

