RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA bën thirrje për qetësi në Jemen teksa forcat e Këshillit Tranzicional Jugor zgjerojnë kontrollin

shba-ben-thirrje-per-qetesi-ne-jemen-teksa-forcat-e-keshillit-tranzicional-jugor-zgjerojne-kontrollin

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Jemenin juglindor, duke bërë thirrje për përmbajtje dhe vazhdim të diplomacisë, ndërsa forcat e Këshillit Tranzicional Jugor (STC) po zgjerojnë kontrollin e tyre në disa zona.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të premten se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga ngjarjet e fundit në Jemenin juglindor” dhe u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje “me synimin për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme”.

Rubio falënderoi Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për rolin e tyre diplomatik, duke theksuar se Uashingtoni mbështet përpjekjet që synojnë avancimin e interesave të përbashkëta të sigurisë në Jemen.

Që nga 3 dhjetori, forcat e STC-së kanë marrë kontrollin e disa pjesëve të provincës lindore Hadramaut pas përplasjeve me Aleancën e Fiseve të Hadramautit dhe forcat e Rajonit të Parë Ushtarak, të lidhura me qeverinë. Katër ditë më vonë, ato e zgjeruan praninë edhe në provincën fqinje Mahra, e cila më herët ishte nën kontrollin e autoriteteve qeveritare.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, një ekip i përbashkët ushtarak saudit-emiratas u dërgua në qytetin jugor Aden për të koordinuar hapat me STC-në. Sipas zyrtarëve, qëllimi është kthimi i forcave të STC-së në pozicionet e mëparshme jashtë provincave Hadramaut dhe Mahra.

Marrja e kontrollit ka nxitur thirrje në rritje, si në nivel lokal ashtu edhe rajonal, që STC të tërhiqet nga këto dy provinca, të cilat së bashku përbëjnë pothuajse gjysmën e territorit të Jemenit. /mesazhi

Related posts

Kryeministri polak, Tusk: Hekurudha Varshavë-Lublin u sabotua me mjet shpërthyes

RTI

Peleshi takon kryetaren e PE-së: Anëtarësimi në BE është një proces transformues i institucioneve

RTI

Rusia: Ukraina sulmoi me 53 dronë territorin tonë

Muhamet Ramadani