RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Kancelari gjerman, Merz: Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese

kancelari-gjerman,-merz:-ne-duhet-te-rrisim-fuqine-tone-parandaluese

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se partneriteti midis SHBA-së dhe Evropës po ndryshon, që do të thotë se ato duhet të mbrojnë interesat e tyre më fort, transmeton Anadolu.

Kancelari Merz publikoi një video-mesazh me rastin e Vitit të Ri.

“Partneriteti ynë me SHBA-në, e cila ka qenë prej kohësh garantues i besueshëm i sigurisë sonë, po ndryshon gjithashtu. Për ne evropianët, kjo do të thotë se ne duhet të mbrojmë interesat tona edhe më fort me forcën tonë”, tha Merz në mesazhin e tij.

Ai theksoi se në Evropë po vazhdon një luftë e tmerrshme. “Kjo luftë kërcënon drejtpërdrejt lirinë dhe sigurinë tonë. Ekonomia jonë është nën presion për shkak të reformave të nevojshme, kostove të larta dhe konflikteve globale tregtare. Gjithashtu teknologjitë e reja po ndryshojnë rrënjësisht jetën tonë të punës dhe mënyrën se si jetojmë së bashku”, shtoi Merz.

Sipas tij, lufta Rusi-Ukrainë i prek drejtpërdrejt edhe ata. “Po shohim gjithnjë e më qartë se agresioni i Rusisë ishte dhe është ende pjesë e një plani kundër të gjithë Evropës. Gjermania është gjithashtu subjekt i sabotimit, spiunazhit dhe sulmeve kibernetike çdo ditë”, tha kancelari gjerman.

Merz potencoi rikthimin e proteksionizmit në ekonominë globale.

“Varësia jonë strategjike nga lëndët e para po përdoret gjithnjë e më shumë si mjet presioni politik që është kundër interesave tona. Këto ndryshime gjeopolitike ndikojnë shumë në prosperitetin tonë dhe ne e ndiejmë këtë si një vend eksportues. Në këtë situatë, ne kemi nevojë për kreativitetin dhe produktivitetin e ekonomisë sonë. Megjithatë, vonesa në reformat e brendshme po dëmton potencialin e kompanive tona. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për to të mbijetojnë në konkurrencën ndërkombëtare”, tha ai.

Merz shtoi se shoqëria gjermane po plaket dhe kjo sjell me vete sfida sociale.

Ai tha se kapërcimi i çdo sfide është në duart e tyre dhe se ato nuk janë lodër për fuqitë e mëdha. “Ne duhet të rrisim fuqinë tonë parandaluese. Duam të rrisim fuqinë tonë mbrojtëse në mënyrë që të mos na duhet të mbrohemi”, u shpreh Merz.

Sipas tij, Gjermania dhe Evropa morën vendime të rëndësishme për të ulur migracionin e parregullt. “Ne po vendosim përsëri vetë se kush hyn në vendin tonë dhe kush detyrohet të largohet. Ne kemi krijuar stimuj të rinj për migrimin e ligjshëm dhe të rregullt dhe në të njëjtën kohë kemi mbyllur rrugët për migrimin e paligjshëm dhe të parregullt. Për ne, njerëzimi dhe rendi janë dy anët e së njëjtës medalje”, tha Merz.

Related posts

Pakistani mirëpret marrëveshjen SHBA-Iran: Do të sjellë stabilitet në tregjet globale

Hevzi

Chollet mbërrin në Kosovë, takohet me Osmanin

admin

Sulm me armë zjarri në një ceremoni martesore në Francë, raportohet për viktima dhe të plagosur. Ja çfarë dyshohet

admin