Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik.
Ai ka thënë se bashkëpunimi me NATO-n jo vetëm që është i domosdoshëm, por ka dhënë edhe rezultate konkrete.
“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Kurti me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Kosovë.
Kurti është shprehur se roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai poashtu ka thënë se FSK është një institucion profesional dhe i besueshëm dhe kjo është rezultat i bashkëpunimit me NATO-n.
“Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve tanë, për çfarë u jemi mirënjohës përherë”, ka thënë Kurti.

