RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Arrestimi i udhëheqësit të kartelit në Meksikë shkakton dhunë

arrestimi-i-udheheqesit-te-kartelit-ne-meksike-shkakton-dhune

Forcat speciale meksikane arrestuan të hënën udhëheqësin e kartelit Audias Flores Silva, duke shkaktuar një reagim të dhunshëm, transmeton Anadolu.

Flores Silva, i njohur si El Jardinero, ishte identifikuar muaj më parë nga inteligjenca meksikane si një pasardhës i mundshëm i Nemesio Oseguera Cervantes – i njohur si “El Mencho” – udhëheqësi i Kartelit të fuqishëm të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG), i cili u vra nga trupat meksikane më 22 shkurt.

Pas kapjes së Flores Silva, media lokale raportoi djegie të automjeteve dhe bizneseve në Nayarit dhe Jalisco, fortesa të njohura të CJNG.

Dhunë u raportua në të paktën gjashtë komuna, ku autoritetet u kanë këshilluar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Deri më tani nuk janë raportuar të lënduar.

Sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Marina Meksikane, Sekretariati i Sigurisë dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Flores Silva u ndalua ndërsa përpiqej të arratisej përmes një tubi kullues në shtëpinë e tij të sigurt në Nayarit, një shtet bregdetar në Meksikën perëndimore.

Agjencitë meksikane të sigurisë, të mbështetura nga inteligjenca nga agjencitë amerikane, monitoruan lëvizjet e tij për 19 muaj përpara se ta rrethonin në komunitetin e vogël të El Mirador.

Pavarësisht se Flores Silva kishte një rreth sigurie prej 60 personash dhe 30 automjetesh, forcat meksikane arritën ta kapnin atë pa gjakderdhje.

“Operacioni u krye me saktësi, pa pasur nevojë të qëllohej asnjë e shtënë e vetme, pa viktima, lëndime apo dëme anësore”, thuhej në një deklaratë.

Flores Silva ka urdhër-arreste në Meksikë për të qenë një nga nxitësit kryesorë të dhunës në vend. Ai gjithashtu përballet me një urdhër ekstradimi në SHBA për rolin e tij në prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve.

Përmes llogarisë së tij X, ambasadori amerikan në Meksikë, Ronald Johnson, vlerësoi arrestimin e udhëheqësit kriminal.

“Arrestimi i Audias Flores Silva, ‘El Jardinero’, një udhëheqës kyç i CJNG-së së dhunshme, shënon një hap të rëndësishëm kundër atyre që përfitojnë nga fentanili dhe nxisin dhunën në komunitetet tona”, shkroi ai.

Related posts

Protestë dhe pulla me thirrje “Armëpushim në Gaza” në ceremoninë për Oscar

Muhamet Ramadani

RMV: Sot seanca plenare për ndryshimet kushtetuese, pushteti dhe opozita me qëndrime të pandryshueshme

Muhamet Ramadani

“Nuk e filluam ne luftën” – SHBA s’e përjashton vendosjen e trupave amerikane në Iran: Do të shkojmë aq larg sa të na duhet!

admin