RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Flotilja e nisur për në Gaza bllokohet nga forcat izraelite, civilët të bllokuar në det mes stuhisë

flotilja-e-nisur-per-ne-gaza-bllokohet-nga-forcat-izraelite,-civilet-te-bllokuar-ne-det-mes-stuhise

Flotilja Globale “Sumud” e cila shkon në Gaza tha sot në mëngjes se forcat detare izraelite kanë kapur dhe çaktivizuar disa nga anijet e saj në ujërat ndërkombëtare, duke lënë qindra civilë të bllokuar në det ndërsa po afrohej një stuhi, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë përmes platformës amerikane të mediave sociale X, grupi tha se forcat izraelite “kapën, hipën në anije dhe çaktivizuan sistematikisht” disa anije që merrnin pjesë në flotilje.

“Pasi shkatërruan motorët dhe sistemet e navigimit, ushtria u tërhoq duke lënë qëllimisht qindra civilë të bllokuar në anije pa energji dhe të prishura, direkt në rrugën e një stuhie masive që po afrohej”, thuhet në deklaratë.

“Komunikimet me anije të shumta janë bllokuar, duke ndërprerë aftësinë e tyre për t’u koordinuar ose për të sinjalizuar për ndihmë”, tha Flotilja.

Grupi e përshkroi incidentin si pjesë të një modeli më të gjerë veprimesh që synojnë civilët.

“Bota po dëshmon eksportimin e doktrinës së ushtrisë izraelite për braktisje të projektuar”, tha deklarata duke e përshkruar incidentin si “një bastisje të dhunshme”, ku forcat detare izraelite kanë “kapur, hipur në anije dhe çaktivizuar sistematikisht anije të ndryshme të Flotiljes Globale ‘Sumud’”.

Gjithashtu, ajo e lidhi incidentin me situatën në Rripin e Gazës, duke akuzuar Izraelin për vendosjen e kufizimeve dhe vështirësive të zgjatura në enklavë. “Logjika që po përdoret është identike: shteti izraelit krijon kushtet për vdekje, saboton mjetet e mbijetesës dhe pastaj pret që ‘natyra’ ose ‘rrethanat’ të përfundojnë punën”, shtoi deklarata.

Të mërkurën vonë, Radioja e Ushtrisë Izraelite tha se forcat detare filluan të merrnin kontrollin e anijeve të flotiljes që shkonin për në Gaza, larg bregdetit të Izraelit. Ajo shtoi se forcat izraelite deri më tani kishin sekuestruar shtatë nga anijet e flotiljes pranë ishullit grek të Kretës.

Flotilja, që mbante ndihmë humanitare për Gazën, synon të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të hapë një korridor humanitar nga deti. Izraeli ka vendosur bllokadë në Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke lënë rreth 1.5 milion nga afërsisht 2.4 milionë palestinezë të pastrehë pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës.

Related posts

Mbi 59 të vdekur dhe miliona të bllokuar nga përmbytjet në Indi dhe Bangladesh

admin

Begaj uron Xhaferin: Shqiptarët, faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV

Muhamet Ramadani

Çmim tejet i lartë i naftës në Kosovë, MINT përcakton çmimet për 24 orët e ardhshme

admin