Në 27 vjetorin e masakrës së fshatit Studime të Vushtrrisë, banorët kujtojnë natën e 2 majit ku humbën më të dashurit e tyre. E në këtë ditë ata gjithashtu kërkuan drejtësi për krimet që shteti serb ka bërë ndaj banorëve të këtij fshati.
Janë fotot e 116 martirëve të Studimes së Vushtrrisë.
Këta të fundit, më 2 maj 1999 u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri.
Nga aty për brenda dy orësh, u pushkatuan.
Por atë ditë, arriti të shpëtojë Bahrije Gërxhaliu, gruaja e dëshmorit Imer Gërxhaliu.
Ajo thotë çdo gjë ishte programuar ditë më parë nga serbët.
“Ky krim qysh ka qenë i organizuar me datën 16 prill që na kanë bllokuar nga fshati Studime e Ulët edhe na kanë tërhequr me u ngjit në Studime e Epërme. Këtu kemi qëndruar deri natën e 2 majit, natën e 2 majit qysh ditën prej Shalës popullata veç ka vërshuar fshatin Ceceli, Studime, këtu ka qenë një popullatë e hatashme edhe me rënien e muzgut ata veç kanë mbërritur edhe kanë filluar, ata e kanë pas të planifikuar këtë gjenocid me bë”.
Atë natë 2 maji, Gërxhaliut iu vra bashkëshorti dhe kunati i saj.
“Kam qenë prezente me bashkëshortin edhe kur është vra, edhe ka qëndruar dy orë e gjysmë i plagosur, çka më shpuajnë ato fjalë çdo ditë… Është shumë e rëndë kur të lënë me pesë fëmijë, më i madhi 11 vjet e gjysmë e më e vogla 2 vjet e 6 muaj, saqë ata nuk kanë zgjedhur edhe fëmijën 2 vjet e 6 muaj ma kanë marrë nga prehri edhe kanë bë krim“, thotë gruaja e dëshmorit.
Prezente në atë natë krimi ishte edhe Elhame Xhafa.
“Na kanë malltretuar, na kanë rrehë, ma kanë vra burrin, ma kanë vra vllaun. Kena nejt në mal tri ditë në ujë, pa hanger, pa pi”, tha Xhafa.
Atë ditë, kishte arritur të shpëtonte edhe Sabri Raci, bashkë me familjen.
“Vëllai im, më së shumti më ka shpëtu vëllai im Hyseni, Hysen Raci, më ka shpëtu, se në atë traktor ku kemi qenë ne, i kanë mbyt ata djemtë që kanë qenë në atë në këtë masakër. Për fat erdhi ai teposhtë e na kanë marrë me zor, edhe kemi shpëtu”, tha dëshmitari Sabri Raci.
Por familjarët po i rëndon fakti që akoma asnjë person nuk është dënuar për këto krime.
“Këtu është një masakër shumë e madhe që kanë kaluar 27 vjet, ende nuk ka asnjë, asnjë i dënuar deri sot për këtë masakër. Kështu që i lutem institucioneve t’i japin pak rëndësi kësaj pune. Deri tash, ata kur është puna me ardh me thonë te votat, te këtu, vijnë edhe na i shohim këtu. Prapë se prapë kjo absolutisht asnjë nuk merret me këtë punë”, thotë vëllai i dëshmorit të rënë, Sami Gërxhaliu.
Në mesin e të vrarëve në këtë masakër, ishin burra e djem të paarmatosur, gra, fëmijë e pleq.

