RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gaza nën rruspa: Izraeli kontrollon tashmë shumicën e Rripit

gaza-nen-rruspa:-izraeli-kontrollon-tashme-shumicen-e-rripit

Tel Avivi po e rivizaton gjeografinë e Gazës duke e tjetërsuar përgjithmonë peizazhin e saj politik dhe territorial.

Nga Majid Al-Assar, La Stampa

Në pjesën lindore të Rripit të Gazës, aty ku dikur fushat e mbjella shtriheshin pafund, ngjyra e gjelbër është zëvendësuar nga hiri i pluhurit. Përtej asaj që njihet si “vija e verdhë”, nuk po ndryshojnë vetëm kufijtë e kontrollit ushtarak, por po tjetërsohet vetë indi gjeografik dhe politik i rajonit përmes një procesi rrafshimi sistematik.

Së pari, vërehet një zgjerim fizik i konsiderueshëm i zonës nën kontrollin izraelit, e cila ka kaluar nga pesëdhjetë e tre për qind në rreth pesëdhjetë e nëntë për qind të territorit të Rripit.

Ky ndryshim po realizohet përmes makinerive të rënda që nivelojnë terrenin dhe zhvendosin blloqet e betonit drejt perëndimit, duke krijuar një realitet të ri në tokat që tashmë janë shpopulluar plotësisht nga lufta.

Banorët e shpërngulur, si Ahmad Al-Samouni dhe Ismail Al-Najjar, dëshmojnë se shtëpitë dhe bizneset e tyre nuk janë thjesht të dëmtuara, por janë zhdukur krejtësisht, ndërsa mbetjet e jetëve të tyre po transportohen me kamionë drejt Izraelit.

Ahmad Al-Samouni, i cili dikur kishte një shtëpi dhe një biznes, përshkruan tmerrin e rikthimit: “Kur u larguam, shtëpitë ishin të dëmtuara, por ajo që gjetëm kur u kthyem ishte një tokë plotësisht e rrafshuar. Nuk ka mbetur asgjë ku të kthehesh. Eshtë e rrezikshme edhe vetëm të shikosh rrënojat; të shtënat nuk ndalen kurrë dhe nëse i afrohesh blloqeve që zhvendosen çdo ditë, rrezikon jetën”.

Së dyti, ky transformim i terrenit mbart tri qëllime të mundshme strategjike që diskutohen nga analistët. Mundësia e parë është përgatitja e këtyre zonave për projekte të ardhshme kolonizimi, nisur nga deklaratat e ministrave të djathtë si Smotrich dhe Ben-Gvir.

Mundësia e dytë lidhet me përdorimin e këtyre ndryshimeve si mjet presioni në bisedimet e Kajros për të detyruar çarmatimin e Hamasit. Ndërsa mundësia e tretë lidhet me politikën e brendshme izraelite. Kryeministri Netanyahu mund ta përdorë rikonfigurimin e kufijve për të ruajtur ndjenjën e kërcënimit konstant dhe për të siguruar mbështetjen e votuesve.

Ismail Al-Najjar, i cili humbi dy djem në luftë, e sheh këtë proces si një fshirje të historisë: ”Këtu nuk po hiqen thjesht rrënojat. Ata po fshijnë çdo gjurmë të asaj që ekzistonte më parë, çdo shpresë për një rikthim në normalitet. Kanë bërë copë-copë ëndrrat tona dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Çdo ditë shohim mjetet e rënda që thërrmojnë mbetjet e shtëpive tona dhe i transportojnë brenda Izraelit. Duket sikur po thërrmojnë edhe shpresat tona të fundit…”.

Së treti, pasojat afatgjata të këtij procesi janë shkatërruese për të ardhmen e popullsisë dhe mundësinë e rikthimit të tyre. Ish-fermerë si Asmaa Al-Masri tregojnë se tokat bujqësore janë tjetërsuar aq shumë sa duken sikur janë goditur nga një tërmet, ndërsa ushtria izraelite qëllon këdo që guxon t’i afrohet vijës së re të demarkacionit.

Pra “vija e verdhë” po pushon së qeni një shenjë e përkohshme ushtarake për t’u kthyer në një ndarje të përhershme që mund të ndryshojë fatin e mbarë rajonit, duke lënë pas vetëm pyetjen dëshpëruese të të shpërngulurve: ku do të kthehemi kur gjithçka është zhdukur? tesheshi

Related posts

Vetaksident me fatalitet te “Kroni i Mbretit”

admin

Parlamenti izraelit miraton ligjin për mbylljen e televizioni Al Jazeera

admin

SHBA: Rusia synon të blejë më shumë dronë nga Irani

admin