RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Si duhet shpëtuar lëvizja qytetare: nga protesta e sheshit te rezistenca kapilare

Përballë vapës, lodhjes dhe provokimeve përçarëse, si duhet vepruar?

Pas më shumë se dy javësh qëndrese në rrugët e Tiranës, lëvizja qytetare ka provuar se zemërimi ndaj padrejtësive është i madh, legjitim dhe i aftë të bashkojë njerëzit përtej dallimeve.

Megjithatë, historia e revoltave sociale na ka mësuar se vetëm vrulli fillestar nuk mjafton për të sjellë ndryshim të qëndrueshëm dhe se çdo lëvizje emocionale herët a vonë përballet me udhëkryqin e saj ekzistencial.

Teksa po shfaqen shenjat e para të lodhjes dhe përsëritja e të njëjtave rituale protestuese rrezikon të zbehë ndikimin publik, ky reagim popullor ndodhet në një moment kritik.

Përballë një pushteti që llogarit zvarritjen e kohës si armën e tij më të mirë, lëvizja ka nevojë emergjente për një ndryshim të fortë strategjik dhe për një shkundje të thellë organizative.

Sfida kryesore nuk është më thjesht mbushja e sheshit, por kthimi i këtij vrulli në një rezistencë afatgjatë, të strukturuar dhe të disiplinuar, e cila i bën ballë të konsumuarit.

Hapi i parë drejt këtij maturimi është nevoja akute për të nxjerrë një trupë udhëheqëse kolektive dhe legjitime. Refuzimi i lidershipit tradicional për shkak të zhgënjimeve të shkuara është i kuptueshëm, por mungesa e një përfaqësimi të qartë po e le lëvizjen pa zë dhe të pambrojtur.

Pa një strukturë të brendshme që unifikon dhe artikulon kërkesa të qarta e të negociueshme, protesta rrezikon të rrëshqasë në kaos ose në një monolog pa krye.

Së dyti, kjo trupë drejtuese është gjithashtu e domosdoshme për të krijuar një mburojë ndaj kurtheve dhe provokimeve përçarëse, shenjat e të cilave kanë filluar të shfaqen në shesh me synimin e qartë për të devijuar kauzën apo për ta degdisur atë drejt një dhune të pakuptimtë.

Një lëvizje e organizuar me mençuri nuk bie në grackat e skenarëve të vjetër të përçarjes, por ruhet përmes vetëpërmbajtjes dhe qartësisë së qëllimit.

Nga ana tjetër, strategjia vetëm e qëndrimit përpara institucioneve qendrore po e arrin pikën e vet të ngopjes. Për të pasur sukses, mesazhi i protestës duhet të bëhet kapilar, duke u shpërndarë me shpejtësi aty ku njerëzit jetojnë e punojnë përditë, nëpër lagje e komunitete.

Ndryshimi i vërtetë nuk vjen duke pritur mrekullinë vetëm nga tubimet e përditshme në bulevard, por duke organizuar rezistencën në çdo celulë sociale, në mënyrë që fryma e revoltës të ushqehet nga poshtë lart dhe të shtrihet në çdo shtresë të shoqërisë.

Ky kapilarizim merr një rëndësi akute tani që po përballemi me afrimin e valëve të para të të nxehtit ekstrem, të cilat siç e dimë ndihen deri vonë në mbrëmje, si dhe me afrimin e sezonit të pushimeve verore, ku dëshira për t’u larguar rrezikon të zbehë masivitetin.

Të bësh të njëjtat veprime çdo ditë pa parë një rezultat të menjëhershëm sjell natyrshëm një lodhje fizike dhe psikologjike, e cila mund të çojë në dorëzim nëse nuk ndryshohet formati i veprimit.

Ky nuk është një sprint që mund të fitohet me nxitim, por një maratonë e gjatë në kushte të vështira atmosferike dhe politike.

Nëse lëvizja qytetare që ka fituar simpatinë e mbarë botës për shkak të përcjelljes nga dhjetëra media të huaja por edhe qindra faqe e blogje, nuk arrin të kalojë nga faza e reagimit emocional në atë të një organizimi të qëndrueshëm strategjik, vapa e Tiranës dhe taktikat e zvarritjes nga ana e pushtetit, rrezikojnë që ta fashitin këtë shpresë.

Ndryshimi duhet të nisë urgjentisht nga vetë organizimi i brendshëm, duke u përgatitur për një qëndresë të gjatë, inteligjente dhe të pathyeshme. tesheshi

Related posts

Araghchi drejt Rusisë për bisedime mbi luftën SHBA-Izrael

RTI

Kërkohet ndihmë financiare për shërimin e Xhevat Guraj

admin

Paramilitari serb – pjesëmarrës në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovë

admin