Asambleja Parlamentare e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) ka miratuar me konsensus të plotë Deklaratën Finale, duke riafirmuar përkushtimin e vendeve pjesëmarrëse për forcimin e dialogut politik dhe parlamentar, avancimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe mbështetjen e perspektivës evropiane të rajonit.
Sipas njoftimit zyrtar, dokumenti vë theks të veçantë në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe në rëndësinë e bashkëpunimit për adresimin e sfidave të përbashkëta.
Po ashtu, në njoftim thuhet se miratimi i deklaratës me konsensus të plotë, pavarësisht kundërshtimeve të delegacionit serb, dëshmoi frymën konstruktive që karakterizoi punimet e sesionit.
Gjatë ditës së dytë të Sesionit të 13-të të Asamblesë Parlamentare të SEECP-së u mbajt seanca plenare, e fokusuar në dialogun ndërparlamentar, forcimin e bashkëpunimit rajonal, fqinjësinë e mirë dhe integrimin evropian.
Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe dialogut për avancimin e proceseve demokratike, stabilitetin dhe integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Rexhepi ftoi gjithashtu përfaqësuesit e Beogradit që të intensifikojnë bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si kultura, ekonomia dhe të drejtat e njeriut.
“Përgjegjësia jonë e përbashkët është që gjeneratave të reja t’u ofrojmë perspektivë zhvillimi, arsim cilësor, punësim dhe mundësi për të qëndruar në rajonin tonë”, deklaroi ajo.
Seancës iu drejtuan edhe kryetarja e Kuvendit të Bullgarisë, Mihaela Dotsova, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, si dhe përfaqësues të tjerë parlamentarë nga vendet pjesëmarrëse.
Ndërkohë, delegacioni i Serbisë përsëriti kërkesën për moslejimin e pjesëmarrjes së Kosovës në punimet e Asamblesë Parlamentare të SEECP-së.
Kjo kërkesë nuk u mbështet nga asnjë prej vendeve pjesëmarrëse dhe nuk u mor parasysh nga Trojka drejtuese e procesit. Si pasojë, delegacioni serb vendosi të largohej nga punimet e seancës plenare.

