RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Këto janë vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme

keto-jane-vendimet-e-marra-nga-qeveria-e-kosoves-ne-mbledhjen-e-sotme

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh që prekin sektorë të ndryshëm, nga infrastruktura dhe zhvillimi rajonal deri te drejtësia, shëndetësia dhe ndërmarrjet publike.

Ndër vendimet kryesore, ekzekutivi ka miratuar dhënien me qira për 15 vjet të një sipërfaqeje prej 99,715 metrash katrorë në Zonën Kadastrale Seqisht të Hanit të Elezit, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.

Qeveria ka miratuar gjithashtu rialokimin e 1.15 milion eurove në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit për katër projekte të reja kapitale, si dhe 1.05 milion euro në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për katër projekte infrastrukturore në komuna.

Në fushën e drejtësisë, është vendosur ndalimi i ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare (Ex-Officio), si dhe ndalimi i ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim të Odës së Avokatëve të Kosovës, deri në vendimet përfundimtare të gjykatave kompetente.

Po ashtu, është emëruar Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Në kuadër të investimeve kapitale, janë rialokuar edhe 350 mijë euro në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për tetë projekte të investimeve kapitale në komuna.

Qeveria ka miratuar edhe shqyrtimin e mëtejmë të kërkesave për shpronësim për interes publik për projektet e sanimit të rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit–Gorancë dhe rehabilitimin e rrugës rajonale R112 në segmentin Gjonaj–Bishtazhin në Komunën e Prizrenit.

Gjithashtu, Ministrisë së Drejtësisë i janë ndarë 200 mijë euro për furnizimin dhe instalimin e një gjeneratori të ri në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin KOMPAS, i cili synon forcimin e sistemit shëndetësor në vend.

Një tjetër vendim ka qenë emërimi i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Infrakos” Sh.A., me Getuar Zogun në cilësinë e kryesuesit, ndërsa anëtarë janë emëruar Detrina Alishani Sopi, Fjolla Gashi dhe Genc Hundozi.

Po ashtu, janë ndarë 44,004 euro për Komunën e Shtimes për përfundimin e projektit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.

Ndër vendimet me ndikimin më të madh financiar, Qeveria ka miratuar ndarjen e 3 milionë eurove për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Related posts

Qeveria rajonale belge Valonia pezullon eksportet e municioneve në Izrael, arsye lufta në Gaza dhe vendimi i GJND-së

Muhamet Ramadani

“Hyra me disa armë dhe askush nuk dyshoi!”- Sulmi në darkën e Shtëpisë së Bardhë, çfarë u shkroi 31-vjeçari familjarëve të tij 10 minuta para se të hapte zjarr

admin

Serbët djegin veturën e Tëvë1 në Zubin Potok

Muhamet Ramadani