RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Rinumërimi i 185 vendvotimeve nuk gjeti parregullsi serioze, KQZ nuk e zgjeron procesin

rinumerimi-i-185-vendvotimeve-nuk-gjeti-parregullsi-serioze,-kqz-nuk-e-zgjeron-procesin

Rinumërimi i 185 vendvotimeve të rregullta, i zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të verifikuar saktësinë e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, nuk ka evidentuar parregullsi që do të arsyetonin zgjerimin e këtij procesi në vendvotime të tjera.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, verifikimi i numërimit në disa vendvotime ngriti dyshime serioze për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Këto dyshime e shtynë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vendoste rinumërimin e të gjitha vendvotimeve, ndërsa, me urdhër të Prokurorisë, u arrestuan qindra persona të angazhuar në procesin e numërimit të votave dhe të cilët përfaqësonin subjekte të ndryshme politike.

Megjithatë, vetëm disa muaj më vonë, në zgjedhjet e 7 qershorit të këtij viti, procesi i rinumërimit ka nxjerrë një pasqyrë krejt tjetër.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se mostra e rinumëruar përfshin vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës dhe sipas gjetjeve, ato lidhen kryesisht me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme dhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinumëruar 185 nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta, fletëvotimet e të cilave ishin numëruar më parë në Qendrat Komunale të Numërimit. Mostra e përzgjedhur ka përfshirë vendvotime nga të gjitha komunat, me qëllim të verifikimit të saktësisë së procesit të numërimit. Rinumërimi i 7.41% të vendvotimeve të rregullta nuk ka evidentuar gjetje që do të arsyetonin nevojën për rinumërime të tjera. Dallimet e konstatuara kanë qenë minimale dhe lidhen kryesisht me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme si dhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar. Për rrjedhojë, nuk është konstatuar ndonjë bazë që do të kërkonte zgjerimin e procesit të rinumërimit në vendvotime të tjera”, tha Elezi.

Sipas Elezit, edhe te kandidatët për deputetë, ndryshimet kanë qenë pothuajse të papërfillshme.

Në 92 për qind të rasteve, dallimi ka qenë vetëm një votë për kandidatin në vendvotimin përkatës, ndërsa rastet me ndryshime më të mëdha kanë qenë të rralla.

“Pas rinumërimit, nga krahasimi i votave të kandidatëve për deputetë, gjetjet tregojnë se shumica e dallimeve janë minimale. Në 92% të rasteve dallimi ka qenë vetëm 1 votë për kandidat në atë vendvotim. Kjo të thotë se nëse një kandidat kishte 50 vota në një vendvotim nga numërimi i parë, pas rinumërimit rezultati i tij mund të ketë dalë me 49 vota ose 51 vota. Ndryshimet më të mëdha se një votë kanë qenë të rralla: 118 raste me rritje 2 vota; 16 raste me 3 vota; dhe vetëm 2 raste me katër vota më shumë. Ndërkaq, janë evidentuar 77 raste me zbritje 2 vota; 4 raste me zbritje 3 vota dhe 2 raste me zbritje 4 vota”, tregoi Elezi për KosovaPress.

Ndryshime minimale janë evidentuar edhe te rezultatet e subjekteve politike.

Në 27 vendvotime të 16 komunave janë regjistruar korrigjime, me gjithsej 36 vota të shtuara dhe 20 të zbritura, duke rezultuar në një ndryshim neto prej vetëm 16 votash.

“Po ashtu, pas rinumërimit të 185 vendvotimeve, ndryshime në votat e subjekteve politike janë evidentuar në 27 vendvotime të 16 komunave. Në përgjithësi, subjekteve politike u janë shtuar gjithsej 36 vota, ndërsa u janë zbritur 20 vota. Për shembull, një subjekt (A) mund të ketë pasur 100 vota në numërimin fillestar dhe pas rinumërimit të ketë 102 vota (+2). Një tjetër subjekt (B) mund të ketë pasur 80 vota dhe të ketë zbritur në 78 (-2), ndërsa një subjekt tjetër (C) mund të ketë pasur ndryshim të vogël, p.sh. +1 ose pa ndryshim fare. Kjo tregon se rezultatet e subjekteve politike para dhe pas rinumërimit janë pothuajse të njëjta, me korrigjime minimale në disa vendvotime” tha Elezi.

Elezi ka treguar se gjatë procesit të rinumërimit, përveç verifikimit të rezultateve, janë evidentuar edhe disa çështje tjera që lidhem me vlerësimin e fletëvotimeve, verifikimin e nënshkrimeve në listat e votuesve dhe ngjashmëritë në mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve.

Këto gjetje, janë regjistruar sipas vendvotimeve dhe në kohën kur janë evidentuar në QNR, janë njoftuar organet kompetente për trajtim të mëtejmë.

Në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 28 dhjetor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte vendosur të rinumëronte të gjitha vendvotimet pasi gjatë verifikimeve fillestare dhe rinumërimit të një pjese të vendvotimeve u evidentuan mospërputhje në numërimin e votave të kandidatëve.

Sipas KQZ-së, shikimi i videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe verifikimi i fletëvotimeve në një mostër të vendvotimeve treguan se në disa raste votat e evidentuara në rezultatet e numërimit nuk përputheshin me votat e shënuara në fletëvotime.

Për të garantuar saktësinë e rezultatit përfundimtar dhe integritetin e procesit zgjedhor, KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin të gjitha vendvotimet e rregullta, 2,557 të tilla dhe procesi kishe zgjatur gati tri javë.

Related posts

Numri i të vdekurve nga zjarri vdekjeprurëse në Hong Kong rritet në 146

Muhamet Ramadani

Gaza, rritet në të paktën 29.692 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Muhamet Ramadani

Vendet u bëjnë thirrje shtetasve të largohen nga Libani ndërsa frika e luftës në Lindjen e Mesme rritet

admin