RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE ende mosmarrëveshje për reformën e migracionit

be-ende-mosmarreveshje-per-reformen-e-migracionit

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian hynë sot në ditën e dytë të bisedimeve për migracionin, ndërsa Polonia dhe Hungaria kërkuan dje në mbrëmje një rishikim të planeve për të reformuar rregullat e azilit.

Sipas planeve aktuale, të gjitha vendet anëtare të BE-së do të pranojnë disa azilkërkues që mbërrijnë në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Vendet që nuk duan të mirëpresin emigrantët do të duhet të paguajnë kompensim.

Polonia, e cila së bashku me Hungarinë nuk e mbështetën propozimin e rënë dakord nga ministrat e Brendshëm të BE-së tre javë më parë, kërkoi që pritja e azilkërkuesve të ishte vullnetare.

Hungaria kundërshtoi gjithashtu planet e reformës në samitin e BE-së të mbajtur në Bruksel.

Udhëheqësit synojnë të miratojnë një deklaratë të përbashkët që shpreh pikëllimin për humbjen e jetëve në Mesdhe dhe analizimin e politikave të bllokut të migracionit, por mbetet e paqartë nëse Polonia dhe Hungaria do ta mbështesin deklaratën.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha se kishte hatërmbetje nga diskutimet e kaluara mbi politikat e migracionit midis disa vendeve anëtare që kur mbërritjet në bllok arritën kulmin në vitin 2015 mes luftës civile në Siri.

“Por, nëse thjesht i thua ‘jo’ gjithçkaje dhe të gjithë të tjerët përpiqen të bëjnë kompromis, kjo nuk funksionon në të vërtetë”, shtoi Kallas.

”Edhe unë mund të bëj një listë të asaj që nuk më pëlqen në 10 vitet e fundit”, tha kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel, duke shprehur zhgënjimin e tij.

Bettel tha se ai nuk do të mbështeste një kompromis që do t’i jepte Polonisë dhe Hungarisë mundësinë për të vënë në dyshim rezultatet e votimeve të shumicës.

Përplasja ka vonuar diskutimet mbi tema të tjera të agjendës për ditën e fundit, përfshirë marrëdhëniet e bllokut me Kinën dhe ekonominë.

Related posts

BE konfirmon “kundërshtimin e fuqishëm” ndaj politikës së vendbanimeve të Izraelit

admin

Maldive, nis votimi për zgjedhjet parlamentare të vendit

rezart morina

Borrell: Po përballemi me krizën më të madhe në veri që nga viti 2013

admin