RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Themelorja do të vendosë më 1 korrik për të ndalurit në Gazimestan

themelorja-do-te-vendose-me-1-korrik-per-te-ndalurit-ne-gazimestan

Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit për veprën “shkaktim i trazirave dhe rrezikim i rendit dhe qetësisë publike” u deklaruan të pafajshëm, ndërsa vendimi në rastin e tyre do të merret më 1 korrik.

Gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor, Policia e Kosovës ndaloi 37 persona, me arsyetimin se ata “provokuan masën duke brohoritur parulla provokuese me elemente të nxitjes së urrejtjes”.

Një personi iu shqiptua gjobë, ndërsa 36 të tjerët u proceduan para gjykatës, por nuk u mbajtën në paraburgim.

Avokati Nikolla Todoroviq tha se të akuzuarve u janë konfiskuar dokumentet personale të identifikimit, si dhe se në mesin e të ndaluarve ka kryesisht serbë nga Serbia dhe vendet e rajonit.

“Ka mjaft shtetas të huaj që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe njerëzit janë në vështirësi. Ata duhet të presin shpalljen e vendimit”, tha ai.

Serbët nga Kosova, nga Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht mblidhen çdo 28 qershor në Gazimestan, për të përkujtuar Betejën e Kosovës, përkatësisht betejën kundër osmanëve më 1389.

Në hyrje të Gazimestanit, Policia e Kosovës u shpërndau vizitorëve një njoftim ku thuhej se nuk do të tolerohet “mbajtja dhe shfaqja e simboleve të ndryshme që përfaqësojnë ose nxisin urrejtje ndëretnike, fetare apo politike”.

Disa nga të pranishmit brohoritën “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe deklaroi se nuk e arsyeton dhe as nuk do ta arsyetojë kurrë çfarëdo thirrjeje për urrejtje, dhunë apo cenim të rendit publik, por se “këngët popullore, kujtimi i të parëve, veshja tradicionale dhe shprehja paqësore e identitetit fetar dhe kombëtar nuk mund të trajtohen, në vetvete, si rrezik për rendin publik”.

Kisha shprehu gjithashtu shqetësim për, siç tha, pretendimet se disa nga të ndaluarit ishin ekspozuar ndaj “keqtrajtimit fizik dhe psikologjik, shuplakave, goditjeve, fyerjeve, kërcënimeve, poshtërimit, si dhe pretendimeve se atyre u ishte kërkuar të brohorisnin ‘Kosova Republikë’, nën kërcënimin e rrahjes”.

“Këto pretendime duhet të hetohen dhe të verifikohen seriozisht. Edhe më shqetësuese janë pretendimet se një pjesë e veshjes tradicionale të njërit prej të ndaluarve ishte përdhosur dhe se disa personave u është ofruar ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftim.

Related posts

Qeveria e Orban akuzohet për presion të votuesve përpara zgjedhjeve në Hungari

Hevzi

Shefi i OKB-së dënon vendimin e Rusisë për të aneksuar rajonet ukrainase

admin

Izraeli refuzon diskutimin për armëpushim në Liban, zotohet për më shumë sulme

Muhamet Ramadani