Turqia do të prezantojë qendrën e saj të re ushtarake të gjeneratës së ardhshme, Shtabin e Përbashkët “Ay Yildiz” (Gjysmëhëna dhe Ylli), i projektuar për të centralizuar udhëheqjen e mbrojtjes së vendit, gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Ankara, raporton Anadolu.
Themeli i shtabit u vendos më 30 gusht 2021, me pjesëmarrjen e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, dhe pjesa më e madhe e ndërtimit bazë tashmë është përfunduar.
Shtabi i Përbashkët “Ay Yildiz” do të konsolidojë strukturën komanduese të Forcave të Armatosura Turke në një kompleks të vetëm, duke bashkuar Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, Shtabin e Përgjithshëm dhe komandat e Forcave Tokësore, Detare dhe Ajrore në një vend ndërsa do të japë kontribut strategjik në operacionet e përbashkëta dhe kapacitetet komanduese.
I frymëzuar nga gjysmëhëna dhe ylli i flamurit turk, kompleksi është projektuar për të përmbushur nevojat aktuale dhe të ardhshme të ushtrisë turke në nivelin më të lartë, me arkitekturën e tij dalluese, konceptin e ndërtesës inteligjente, strukturën miqësore me mjedisin dhe infrastrukturën e avancuar teknologjike.
I pajisur me teknologji të fundit që variojnë nga siguria kibernetike dhe mbrojtja balistike deri te masat kundër kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore (CBRN) si dhe zgjidhje të avancuara inxhinierike, projekti pritet të bëhet një nga selitë ushtarake model në botë. Arkitektura e tij e sigurisë forcohet më tej nga masat e përafruara me konceptin “Kupola e Çeliktë”.
Shtabi “Ay Yildiz” do të shërbejë si një qendër strategjike që forcon integrimin institucional të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, rrit kapacitetet e operacioneve të përbashkëta të ushtrisë turke dhe mishëron vizionin e mbrojtjes së Turqisë në kuadër të objektivave të “Shekullit të Turqisë”.
Shtabi, i cili së fundmi hapi dyert për anëtarët e shtypit gjatë konferencës javore të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, do të organizojë ngjarjen e tij të parë zyrtare si pjesë e Samitit të Shefave të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7-8 korrik.
Si pjesë e samitit, do të mbahet një pritje në Shtabin “Ay Yildiz” në nder të ministrave të Mbrojtjes dhe zyrtarëve të lartë të NATO-s. Pritja është planifikuar të mbahet në pjesën “Yll” të kompleksit.

