RTV AHIRETI
LajmeLajmetRajon dhe Botë

Ministri i Jashtëm turk: Presidentët Erdogan dhe Trump kanë “vullnet të fortë” për heqjen e sanksioneve CAATSA

ministri-i-jashtem-turk:-presidentet-erdogan-dhe-trump-kane-“vullnet-te-forte”-per-heqjen-e-sanksioneve-caatsa

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë një “vullnet të fortë” për heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj Turqisë në kuadër të ligjit amerikan CAATSA (Akti për Përballimin e Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve), tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, duke shtuar se të dy qeveritë po ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta zgjidhur çështjen, transmeton Anadolu.

Duke folur për CNN Turk, Fidan tha se dy liderët e kanë shprehur vendosmërinë e tyre gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në shtatorin e kaluar dhe u kanë dhënë udhëzime kabineteve të tyre për të punuar drejt një zgjidhjeje.

“Ka një vullnet të fortë si nga presidenti ynë, ashtu edhe nga presidenti Trump” për heqjen e sanksioneve, tha Fidan.

“Kur dy liderët u takuan në Washington shtatorin e kaluar, ata shpallën vullnetin e tyre politik për këtë çështje dhe ne, si ministra kabineti, u udhëzuam ta zgjidhim atë. Ministri i mbrojtjes dhe unë po punojmë intensivisht për këtë”, deklaroi Fidan.

Ai shtoi se CAATSA mbetet e vetmja pengesë institucionale e përhershme në marrëdhëniet Turqi-SHBA.

“Vendime të veçanta në lidhje me Turqinë mund të merren herë pas here, por në aspektin institucional, e vetmja çështje negative e qëndrueshme aktualisht janë sanksionet CAATSA”, tha ai.

Fidan theksoi se shumë sanksione të vendosura ndaj Turqisë nga vende të tjera janë hequr gjatë tri-katër viteve të fundit, duke argumentuar se shumica kanë qenë administrative dhe jo ligjore.

Kufizimet e vendosura nga disa aleatë të NATO-s janë hequr gradualisht përmes angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, tha ai, duke përmendur Kanadanë si një nga shembujt më të fundit.

“Shumë vende, përfshirë Kanadanë, tashmë i kanë hequr këto kufizime. Tani po shohim se si ta çojmë bashkëpunimin edhe më tej”, tha ai.

I pyetur nëse sanksionet do të hiqen së shpejti, ai tha se përpjekjet janë në vazhdim.

“Ka disa hapa që duhet të ndërmerren. Puna në këtë drejtim është duke u zhvilluar dhe, ndërsa kjo ndodh, publiku do t’i shohë rezultatet”, tha ai.

Fidan shtoi se progresi mund të vijë në të ardhmen e afërt, por theksoi se vendimet administrative dhe procedurat e Kongresit Amerikan nuk ecin gjithmonë paralelisht.

“Nuk ka problem sa i përket vullnetit politik brenda administratave. Pyetja është se si do të ecë procesi në Kongresin Amerikan”, tha ai, duke iu referuar autorizimit nga Kongresi për heqjen e sanksioneve.

Related posts

Europa redukton kërkesën për gaz me 24% për të ulur varësinë nga Rusia

admin

Presidenti Erdoğan zhvilloi bisedë telefonike me homologun izraelit

Muhamet Ramadani

​Forumi Ekonomik Kosovë-Turqi, Kurti: Fokus, forcimi i bashkëpunimit për investime

admin