OKB-ja ka bërë të ditur se ka dokumentuar vrasjen e të paktën 45 civilëve në El Obeid, kryeqendrën e shtetit sudanez të Kordofanit Verior, gjatë periudhës 6-28 qershor, duke paralajmëruar për një “katastrofë të të drejtave të njeriut” në qytet, transmeton Anadolu.
“Një tjetër katastrofë e të drejtave të njeriut po shpaloset në Sudan, këtë herë në kryeqendrën e shtetit strategjik të Kordofanit Verior”, tha komisari i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, gjatë një seance për të drejtat e njeriut në Gjenevë.
“Civilët janë përballur me kushte të ngjashme me rrethimin për 18 muaj, të goditur nga sulme të pandërprera me dronë, ndërsa Forcat e Armatosura Sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) luftojnë për kontrollin e zonave përreth qytetit”, tha Turk.
Ai tha se zyra e tij ka dokumentuar 15 sulme me dronë ndaj El Obeidit dhe zonave përreth gjatë periudhës 6-28 qershor, duke vrarë të paktën 45 civilë dhe duke plagosur 41 të tjerë, duke shtuar se numri i vërtetë i viktimave ka të ngjarë të jetë më i lartë.
“Në të gjithë rajonin e Kordofanit, dronët e lëshuar nga të dyja palët kanë goditur vazhdimisht tregje, shkolla, pika karburanti, infrastrukturë ujore dhe automjete civile”, shtoi ai.
Ai gjithashtu tha se 13 pika karburanti janë dëmtuar javët e fundit si në El Obeid ashtu edhe në Al-Rahad, duke përkeqësuar krizën e karburantit.
“Kemi dokumentuar modele të ekzekutimeve pa gjyq, rrëmbimeve, torturës dhe keqtrajtimit, dhunës seksuale dhe plaçkitjeve përgjatë rrugëve të përdorura nga personat e zhvendosur në të gjithë rajonin e Kordofanit”, tha zyrtari i OKB-së.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë urgjentisht për të parandaluar “krimet mizore” në El Obeid dhe i kërkoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së të përmbushë përgjegjësitë e tij.
“Të gjithë liderët duhet të përdorin ndikimin e tyre për të ushtruar presion mbi të gjitha palët, dhe veçanërisht mbi RSF-në, për të ndaluar një ofensivë ndaj El Obeidit”, tha Türk.
Prej rreth dy javësh, El Obeid është përballur me sulme me dronë nga RSF-ja paraushtarake, të cilat kanë shënjestruar stacionin kryesor të energjisë elektrike, pikat e karburantit dhe objekte të tjera civile, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra persona.
OKB-ja, organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe vende përfshirë SHBA-në, kanë paralajmëruar për mizori të mundshme mes raportimeve për grumbullimin e forcave ushtarake të RSF-së rreth El Obeidit.
Në muajin maj, OKB-ja paralajmëroi për përshkallëzimin e sulmeve me dronë në rajonin e Kordofanit, duke thënë se sulmet kishin vrarë të paktën 880 civilë gjatë periudhës janar-prill të këtij viti.
Tre shtetet e rajonit të Kordofanit, përkatësisht Kordofani Verior, Kordofani Perëndimor dhe Kordofani Jugor, kanë qenë skenë e përleshjeve të ashpra mes ushtrisë dhe RSF-së që nga tetori i vitit të kaluar.
Sudani është përfshirë nga konflikti që nga viti 2023, kur shpërthyen luftimet midis ushtrisë dhe RSF-së për shkak të planeve për integrimin e forcës paraushtarake në ushtri. Lufta ka shkaktuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë, duke lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe duke zhvendosur pothuajse 13 milionë persona.

