Pezullon transmetimet me fjalët: “Ju kemi gënjyer për vite me radhë!”
Pas emërimit të drejtorit të ri të përgjithshëm nga qeveria e Peter Magyarit, kanali kryesor publik hungarez M1 ndërpreu transmetimet dhe shfaqi një ekran të zi me një mesazh të pazakontë: ”Mediat publike nuk mund të gënjejnë. Kërkojmë ndjesë që e kemi bërë këtë për shumë vite!”.
Ky ishte mesazhi që panë qytetarët hungarezë kur hapën televizorin. M1, i themeluar në vitin 1957. Sfondi i zi ishte shfaqur vetëm në raste të rralla gjatë afro 70 viteve të historisë së tij, kryesisht për probleme teknike ose gjatë ditëve të zisë kombëtare.
Hera e fundit kishte qenë në vitin 1993, pas vdekjes së ish-kryeministrit József Antall. Këtë herë arsyeja ishte krejt tjetër: ndryshimi i drejtimit të televizionit pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re të Peter Magyarit, i cili në zgjedhjet e prillit i dha fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán.
Mesazhi vazhdonte: “Mediat publike po transformohen për t”u bërë të pavarura dhe të besueshme. Shërbimi informativ është pezulluar përkohësisht. Qëndroni me ne”.
Edhe faqet zyrtare të transmetuesit publik shfaqnin të njëjtin ekran të zi, ndërsa radioja publike Kossuth ndërpreu programacionin normal dhe transmetoi përkohësisht muzikë klasike nga kanali Bartók.
Gjatë ditës, në televizionin publik u prezantua drejtori i ri ekzekutiv, András Horváth, i cili mori menjëherë detyrën. Së bashku me ekipin e tij ai pezulloi disa nga drejtuesit kryesorë të televizionit, të cilët akuzohen se për vite me radhë kishin administruar mbulimin mediatik në favor të qeverisë së Viktor Orbánit.
Sipas planit, M1 do t’i rifillojë transmetimet me një program të reduktuar, fillimisht me filma dhe pa edicione informative, deri në krijimin e një redaksie të re të lajmeve.
A mund të ndodhë diçka e tillë në Shqipëri?
Teorikisht po, por praktikisht është shumë pak e mundshme. Në Shqipëri, RTSH është transmetuesi publik dhe drejtuesit e tij emërohen përmes procedurave të përcaktuara me ligj nga Kuvendi dhe organet drejtuese të institucionit.
Edhe nëse ndryshon qeveria, nuk ekziston një mekanizëm që lejon pezullimin e menjëhershëm të transmetimeve dhe publikimin e një deklarate zyrtare ku pranohet se televizioni “ka gënjyer për vite”.
Një veprim i tillë do të kërkonte jo vetëm një vendim të drejtuesve të rinj, por edhe një konsensus institucional dhe ligjor, pasi transmetuesi publik ka detyrimin të garantojë vazhdimësinë e shërbimit.
Nga ana tjetër, edhe në Shqipëri nuk kanë munguar debatet mbi pavarësinë editoriale të RTSH-së dhe ndikimin e politikës në median publike. Në rast të një ndryshimi të madh politik, është e mundur të ketë ristrukturime të drejtuesve, auditime ose ndryshime në linjën editoriale, por një ndërprerje spektakolare e transmetimeve me një mesazh publik pranimi përgjegjësie, si në rastin e M1 në Hungari, do të ishte një skenar shumë i pazakontë. tesheshi

