RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Rezoluta e PE-së: Serbia po ngec për shkak të sundimit të ligjit dhe politikës së jashtme

rezoluta-e-pe-se:-serbia-po-ngec-per-shkak-te-sundimit-te-ligjit-dhe-politikes-se-jashtme

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Serbinë, në të cilën vlerëson se vendi po ngec në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian për shkak të përkeqësimit në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe përafrimit me politikën e përbashkët të Jashtme dhe të sigurisë të bllokut evropian.

Në rezolutë shprehet keqardhje që detyrimet kryesore të Serbisë, të përfshira në një dokument joformal (non-paper) të nëntorit të 2024, që synonte heqjen e pengesave të mbetura për hapjen e Kapitullit 3, kryesisht nuk janë përmbushur. Në këtë kontekst, PE-ja dënon retorikën nxitëse të Qeverisë së Serbisë ndaj shteteve anëtare që nuk e mbështetën hapjen e Kapitullit 3.

PE-ja thekson se besueshmëria e procesit të zgjerimit duhet të ruhet përmes zbatimit të vazhdueshëm të kushteve të rrepta dhe të drejta, duke njohur njëkohësisht përpjekjet për reforma kur ato ekzistojnë.

Rezoluta rikujton se Serbia deklaron se anëtarësimi në BE është objektiv i saj strategjik, por konstaton se zotimet e shprehura shpesh nuk janë shoqëruar me hapa konkretë. Në dokument thuhet se kjo mospërputhje kërkon një sqarim të qartë të orientimit evropian të Serbisë dhe u bëhet thirrje autoriteteve që me veprime konkrete të dëshmojnë përkushtim të qëndrueshëm ndaj vlerave dhe standardeve evropiane, si dhe konsistencë në angazhimin për anëtarësim në BE.

“Parlamenti Evropian përsërit se Ballkani Perëndimor, në kontekstin aktual gjeopolitik, ka rëndësi strategjike për sigurinë dhe stabilitetin e BE-së në tërësi. Ai thekson se Serbia, për shkak të madhësisë dhe pozitës së saj gjeopolitike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe dënon përpjekjet e saj për krijimin e sferave të ndikimit dhe aktivitetet që cenojnë sovranitetin e shteteve fqinje”, thuhet në rezolutë.

PE-ja i bën thirrje Serbisë që të dëshmojë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme orientimin e saj gjeopolitik drejt Bashkimit Evropian, përfshirë përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht me masat kufizuese të vendosura për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, PE-ja shpreh shqetësim se Serbia ende nuk është përafruar plotësisht me këtë politikë dhe shpreh keqardhje që niveli i saj i harmonizimit është ndër më të ulëtit mes të gjitha vendeve kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

Në këtë kontekst, rezoluta përsërit se përafrimi i plotë është një kusht i padiskutueshëm për anëtarësim. Parlamenti Evropian thotë se mirëpret përafrimin e fundit të Serbisë me disa vendime të Këshillit të BE-së, por thekson se një përafrim selektiv nuk është i mjaftueshëm.

PE-ja po ashtu shpreh keqardhje për vazhdimin e marrëdhënieve të afërta dhe thellimin e partneritetit të Serbisë me Rusinë, duke vlerësuar se kjo ngre dyshime për orientimin e saj strategjik dhe dëmton besueshmërinë e rrugës evropiane.

Në rezolutë theksohet se e ardhmja evropiane e Serbisë kërkon një zgjedhje të qartë strategjike dhe se politika e balancimit mes Bashkimit Evropian dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë nuk është në përputhje me besimin politik që pritet nga një vend kandidat.

Autoriteteve në Beograd u bëhet thirrje të përmbahen nga mesazhet publike dhe veprimet që janë në kundërshtim me qëndrimet kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Deputetët evropianë shprehin shqetësim për investimet ruse dhe kineze në Serbi dhe ndikimin e tyre në rritje mbi proceset politike dhe ekonomike në rajon. Po ashtu, dënohet ndërhyrja e huaj ruse në Serbi, duke rikujtuar se Serbia përdoret në mënyrë aktive si platformë rajonale për përhapjen e dezinformatave në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Parlamenti Evropian shpreh shqetësim edhe për vazhdimin e forcimit ushtarak të Serbisë, i cili shoqërohet me retorikë gjithnjë e më të ashpër ndaj shteteve fqinje, thellimin e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes me Kinën, përfshirë stërvitjet e përbashkëta të njësive speciale, zgjerimin e marrëveshjeve strategjike dhe praninë në rritje të teknologjive kineze të sigurisë dhe mbikëqyrjes”.

“Dënohet ashpër blerjen e fundit të raketave balistike kineze ajër-tokë CM-400AKG, duke paralajmëruar se një armatim i tillë cenon ekuilibrin rajonal të sigurisë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore me vendet anëtare të NATO-s. Një blerje e tillë bie ndesh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ngre pyetje serioze për orientimin gjeopolitik të Serbisë”, thuhet në rezolutë.

Parlamenti Evropian po ashtu dënon faktin që Serbia është shndërruar në një bazë për aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës në Evropë dhe shpreh shqetësim të madh për raportet e besueshme se ajo është bërë një qendër e rëndësishme operative për aktivitetet hibride dhe destabilizuese të Rusisë, përfshirë organizimin e provokimeve, nxitjen e tensioneve etnike dhe fetare në shtetet anëtare të BE-së, si dhe trajnimin dhe dërgimin e individëve për veprime destabilizuese në Evropë dhe në rajonet fqinje.

Autoriteteve serbe u bëhet thirrje që urgjentisht të hetojnë, parandalojnë dhe ndjekin penalisht aktivitete të tilla.

Related posts

Dr. Fauci një javë në spital, preket nga virusi i Nilit Perëndimor

admin

Erdoğan: Terroristët janë pranuar pothuajse në të gjitha vendet e Evropës

admin

Zyrtarët palestinezë i cilësojnë si “revolucion” protestat në universitetet amerikane dhe evropiane

admin