RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

KDI i kërkon Haxhiut të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive të Kuvendit

kdi-i-kerkon-haxhiut-te-caktoje-sa-me-pare-daten-e-seances-konstituive-te-kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, që pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

Në reagimin e tij, KDI thekson se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit ka nisur afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, duke vlerësuar se afati 30-ditor është kufiri maksimal kushtetues dhe nuk duhet të shndërrohet në një periudhë pritjeje dhe pasigurie institucionale.

Sipas KDI-së, edhe pse afati ende nuk ka përfunduar, ushtruesja e detyrës së Presidentes ka përgjegjësi institucionale që të shmangë vonesat e panevojshme dhe të sigurojë nisjen në kohë të procesit të konstituimit të Kuvendit.

Instituti kujton se përvojat e kaluara kanë dëshmuar se vonesat në konstituimin e institucioneve mund të krijojnë bllokada politike dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.

KDI kërkon që Haxhiu të caktojë datën e seancës konstituive menjëherë pas përfundimit të konsultimeve me partitë parlamentare, në mënyrë që procesi të mos afrohet pa nevojë me afatin kushtetues të 7 gushtit.

Po ashtu, organizata kërkon që ushtruesja e detyrës së Presidentes t’u bëjë thirrje publike subjekteve politike të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në seancën konstituive, me qëllim që ajo të përfundojë me konstituimin e Kuvendit dhe jo të mbetet vetëm një procedurë formale.

Në fund, KDI kërkon që brenda 48 orëve publiku të informohet për përfundimin e konsultimeve dhe për kohën kur do të shpallet data e seancës konstituive, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit është parakusht për formimin e institucioneve të reja dhe rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues.

Related posts

Bizneset bëjnë thirrje për shmangie të zgjedhjeve

admin

Kërkesat bullgare, pengesë në rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut

admin

Rumania në alarm, dronët rusë pranë kufirit! Ngre në ajër dy avionët luftarakë dhe i ndjek

admin