Ministria palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve njoftoi të enjten se 12 vende të reja janë shtuar në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), transmeton Anadolu.
Me këtë hap, numri i përgjithshëm i vendeve palestineze në Listën e Përkohshme arriti në 23, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministria tha se regjistrimet u bënë në bashkëpunim me delegacionin e përhershëm të Palestinës pranë UNESCO-s për të forcuar praninë ndërkombëtare të trashëgimisë palestineze dhe për të nxjerrë në pah diversitetin e saj kulturor dhe natyror.
Përfshirja në Listën e Përkohshme i paraprin përgatitjes së dosjeve të kandidimit për Listën e Trashëgimisë Botërore dhe ndihmon në forcimin e përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e vendeve, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë, tha ministria.
“Ky hap vjen në mes të një fushate përshkallëzimi izraelit që synon vendet e trashëgimisë palestineze”, shtoi ministria.
Autoritetet palestineze thonë se vendet arkeologjike dhe të trashëgimisë në Bregun Perëndimor të pushtuar përballen me përshkallëzim të vazhdueshëm izraelit, përfshirë masa në terren dhe zgjerim të kontrollit administrativ mbi vendet me vlerë historike.
Ministria përmendi disa nga vendet e sapofutura në listë, përfshirë Sebastian në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, Pellgjet e Solomonit në jug të Betlehemit dhe Xhaminë Ibrahimi në Hebron.
Në qershor, ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, njoftoi transferimin e kompetencave për planifikim dhe ndërtim rreth Xhamisë Ibrahimi nga Komuna e Hebronit te administrata izraelite.
Autoriteti Palestinez thotë se ky veprim shkel Marrëveshjen e Hebronit të vitit 1997, ndërsa Smotrich e përshkroi atë si pjesë të forcimit të sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Knesseti izraelit po diskuton gjithashtu një projektligj që do t’u jepte autoriteteve izraelite kompetenca më të gjera për menaxhimin e vendeve arkeologjike në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Palestinezët thonë se Izraeli po përshkallëzon jo vetëm masat që synojnë vendet arkeologjike, por edhe sulmet ndaj palestinezëve, përfshirë vrasjet, arrestimet, zhvendosjet, shembjen e shtëpive dhe objekteve, si dhe shkatërrimin e tokave bujqësore.
Ata paralajmërojnë se Izraeli po i përdor këto sulme për të hapur rrugën për aneksimin formal të Bregut Perëndimor, gjë që do të minonte mundësinë e krijimit të një shteti palestinez, siç parashikohet në rezolutat përkatëse të OKB-së.
Në vitin 1948, Izraeli u krijua në tokat e pushtuara nga grupet e armatosura sioniste që kryen masakra dhe zhvendosën të paktën 750.000 palestinezë. Izraeli më vonë pushtoi pjesën tjetër të territoreve palestineze dhe vazhdon të refuzojë të tërhiqet prej tyre.

