Iraku dhe Siria nënshkruan në Washington një marrëveshje bashkëpunimi për rehabilitimin dhe rindërtimin e tubacionit Irak-Siri për transportin e naftës bruto, një projekt që synon rikthimin e një rruge kyçe eksporti nga fushat naftëmbajtëse të Irakut drejt bregdetit mesdhetar të Sirisë, raporton Anadolu.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë takimit të Këshillit të Biznesit SHBA-Irak nga Bassem Abdul Karim Nasr, drejtor i Kompanisë së Naftës së Basrës, në emër të Irakut, dhe Youssef Qablawi, drejtor ekzekutiv i Kompanisë Siriane të Naftës, në emër të Sirisë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright.
Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar projektin si një “projekt prioritar të infrastrukturës me rëndësi strategjike dypalëshe dhe rajonale”.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e një konsorciumi ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja për zbatimin e aspekteve teknike dhe financiare të këtij projekti”, thuhet në deklaratën e Departamentit.
Departamenti i Shtetit tha se të dy vendet e njohin objektivin strategjik të rikthimit në funksion të tubacionit.
Tubacioni, i cili shtrihet nga rajoni i pasur me naftë i Kirkukut në veri të Irakut deri në portin mesdhetar sirian të Baniasit, ka qenë jashtë funksionit që kur u dëmtua gjatë pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003.
Njoftimi vjen në një kohë kur transporti detar global përmes Ngushticës së Hormuzit është ulur ndjeshëm pas luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, duke i shtyrë vendet të shqyrtojnë rrugë alternative.

