RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Nacionalist jo, patriot jo: çfarë dreqin është kryeministri ynë?

nacionalist-jo,-patriot-jo:-cfare-dreqin-eshte-kryeministri-yne?

Heshtja e Ramës, një llogari e ftohtë mbijetese politike përballë rrotacionit të ri gjeopolitik në Uashington

Kur bëhet fjalë për të sulmuar, denigruar dhe ironizuar qytetarët e tij që protestojnë nën dritaret e zyrës së tij, kryeministri Edi Rama nuk kursen as kohën dhe as rreshtat. Penën e ka të mprehtë, të shpejtë dhe plot helm.

Por kur një ministre serbe, Snezhana Paunoviç, deklaron hapur dhe pa pikë turpi në një televizion kombëtar se, po të ishte në dorën e saj, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, kryeministri ynë pëson një “squllje” të pashpjegueshme.

Reagimi i tij? Një status i mekur në rrjetet sociale ku na kërkon të mos bëhemi “kor histerik” për një “çyryk” në Beograd. Ky kontrast i fortë ngre një pyetje legjitime që rri si hije mbi Tiranën zyrtare: Nacionalist jo, patriot jo – çfarë dreqin është kryeministri ynë?

Përtej retorikës së Ramës se Shqipëria reagoi “institucionalisht” përmes Ministrit të Jashtëm, e vërteta është se reagimi i Tiranës ngjante më shumë me një murmuritje diplomatike sesa me një qëndrim dinjiteti kombëtar.

Ndërsa në vetë Serbi, 53 deputetë të opozitës kërkojnë shkarkimin e Paunoviçit – falë edhe nismës së deputetit shqiptar Shaip Kamberi – kryeministri i Shqipërisë sillet sikur kjo ngjarje nuk i përket.

Si ka mundësi që opozita serbe gjen guximin të kërkojë llogari për gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, ndërsa kryeministri i shqiptarëve e kalon radhën duke i quajtur kritikët në Tiranë “luftëtarë të frontit me kalë të ngordhur”?

Rama shpesh mburret se e urren nacionalizmin tradicional ballkanik. Ai preferon ta shesë veten si një lider kozmopolit, modern dhe pragmatist. Por nëse nuk është nacionalist, përse nuk sillet dot as si patriot?

Një patriot i vërtetë nuk do të qëndronte indiferent ndaj fyerjes së gjakut të tij. Një patriot do të bënte çmos që shqiptarët të mos iknin në masë nga vendi i tyre, dhe nuk do të ndërmerrte vendime të dyshimta, jo-transparente, që dëmtojnë interesat kombëtare për hir të axhendave personale.

Prapa kësaj heshtjeje diplomatike fshihet një frikë e madhe gjeopolitike. Çfarë di Edi Rama që shqiptarët e thjeshtë nuk e dinë? Skena gjeopolitike po lëviz me shpejtësi.

Uashingtoni sapo ka marrë një vendim historik për të nisur një dialog strategjik të nivelit të lartë me Serbinë. Për herë të parë, Beogradi dhe administrata amerikane po formalizojnë një partneritet që përfshin marrëveshje të mëdha në energji dhe gaz natyror, investime në Inteligjencën Artificiale dhe teknologji të lartë, si dhe eksplorimin e rezervave të çmuara të litiumit serb.

Në këtë pazar të ri gjeopolitik, autokrati Aleksandër Vuçiç po shfaqet si partneri i preferuar i SHBA-së në rajon. Ndërkohë, Shqipëria duket se ka zbritur një shkallë më poshtë në listën e preferencave.

Ambasadori i ri amerikan në Tiranë po vonon të vijë, dhe projektet e mëdha rajonale si “Ballkani i Hapur” – ku Rama investoi gjithë kapitalin e tij politik si një nismë e mbështetur nga administrata e parë Trump – kanë përfunduar tashmë në koshin e historisë.

Tani që “Ballkani i Hapur” dështoi dhe Uashingtoni po lëviz drejt pakteve të rregullta dypalëshe, Rama ndodhet në pozita të vështira. Projektet e dhendrit të Donald Trump, Jared Kushner, në bregdetin shqiptar kanë ndezur një valë të madhe kundërshtimesh dhe akuzash për korrupsion në Shqipëri.

Në këto kushte, Rama hesht para Beogradit jo sepse është një “politikan i matur”, por ose sepse nuk dëshiron të nxehë askënd në Uashington.

Ai e di se nëse ngre zërin ndaj Serbisë, mund të prishë ekuilibrat delikatë me administratën e re amerikane, e cila tashmë e sheh Vuçiçin si një aset strategjik për shkak të litiumit dhe marrëveshjeve ekonomike, përfshirë planet për Hotelin Trump në Beograd, që mund të riaktivizohen pas zgjedhjeve të vjeshtës.

Pra Edi Rama po bën “patriotin liberal” vetëm për konsum të brendshëm, duke shpresuar se pasi të “qetësohen ujërat”, do të marrë ndonjë dhuratë apo mbështetje ndërkombëtare për mbijetesën e tij politike.

Ai nuk është as nacionalist e as patriot. Ai është thjesht një teknokrat i mbijetesës personale, që interesat kombëtare i përdor si monedhë shkëmbimi në tryezat ndërkombëtare. tesheshi

Related posts

Sërish greva në disa aeroporte gjermane

Muhamet Ramadani

Sherr me grushte në parlamentin e Italisë, deputetët përleshen me njëri-tjetrin. Pamjet

admin

Hamasi: Çdo ofensivë tokësore izraelite në Rafah do të ‘hedhë në erë’ bisedimet për shkëmbimin e pengjeve

Muhamet Ramadani