Përpjekja për të kuptuar hendekun e thellë mes faktit dhe perceptimit ndaj një pushteti
Mënyra se si Rama zgjedh për t’i vënë notën qeverisjes së tij provokon një rikthim te komunizmi dhe Enver Hoxha, gjykimi mbi të, te faktet dhe perceptimet mbi atë sistem, duke pyetur fillimisht se pse Rama e urrente Enverin dhe pushtetin e tij, nëse vërtet e urrente?!
Vjen natyrshëm kjo pyetje pikërisht nga metodika mbi të cilën ai gjykon qeverisjen e tij, pasi diferencën mes atij dhe kundërshtarëve e bën pikërisht metodika, qasja e ndryshme, nga kënde të ndryshme, në përpjekje për të qenë sa më realist në gjykim e vlerësim.
Dhe vjen pashmangshëm krahasimi me te djeshmen, duke nisur me pyetjen: A transformua Shqipëria në Enverin? Pa dyshim që po. Madje deri në pikën e një nostalgjie për atë sistem, nëse mbyllim njërin sy për sa e sa monstruozitete ideologjike. Dhe këtu hyjnë fusha me ndjeshmëri të lartë, siç arsimi në edukim apo industria në ekonomi. Hyn dhe kultura, hyn sporti, hyn dhe rendi. Por mbi të gjithë këto, nuk shmanget dot fakti i padiskutueshëm i të qënit diktaturë. As ithtari më ekstrem i saj kohe nuk e pretendon të kundërtën. Pra, ka mjaftuar diçka jolëndore, e cila cenon thelbin e natyrës njerëzore, aty ku ngjizet dinjiteti i çdokujt, për të zhbërë një zhvillim të dukshëm, të prekshëm e mbresëlënës lëndor. Por dhe te kjo e fundit, lëndorja, privimet e shumta në raport me botën përreth, prevalonin mbi çdo transformim. ndaj dhe ndiheshim të varfër në ekstrem, edhe pse me oxhagjet gjer në qiell të qindra fabrikave e uzinave.
Ne nuk e dimë nëse Rama e ka analizuar këtë të djeshme në funksion të krahasimit me veten dhe qeverisjen që përfaqëson, për të qenë i vërtetë në radhë të parë me veten, pasi nuk po ka asnjë diferencë mes mënyrës dhe llojit propagandues mbi të cilin ai ndërton vlerësimet mbi produktin qeverisës me atë që edhe Enveri dhe udhëheqësia e tij aplikonte si metodë.
Për ta thjeshtuar, le të shkojmë te e palënda: drejtësia, ajo shoqërore, shumëpërmasore dhe gati përcaktuese në raporton mes qeverisjes dhe popullit: a ka inspiruar, modeluar e ndërtuar Rama një politikë më të drejtë në thelbin e vet, e cila ka prodhuar dhe më shumë drejtësi shoqërore?
Sepse, po të jetë për zhvillim lëndor, aty ku Rama rreh gjoksin më shumë, te e cila përfshihet ekonomia dhe infrastruktura, është dhe dimensioni i zhvillimit inercik, më bazë të të cilit edhe Nano kishte më arritje se Berisha i parë, edhe Berisha i dytë kishte më arritje se Nano. Le të kujtojmë madje ndër vitet më të mira ekonomike të Shqipërisë ka qenë mandati i dytë i Nanos dhe i pari i Berishës. Por jo vetëm kaq. Me Berishën marrin hov dhe investimet i infrastrukturore me në krye Rrugën e Kombit, goditet krimi si kurrë me parë, nis të eliminohet problemi i dritave me orar, futet vendi në NATO dhe liberalizohen vizat. Dhe ajo që kurrë nuk është thënë: në kohën e tij ishte kthimi më i madh i shqiptarëve nga emigracioni. Megjithatë, erdhi një moment dhe këto fakte u mbytën nga perceptimi se ai ishte një bela për Shqipërinë që duhej larguar. Dhe u largua, nën bindjen popullore se Shqipëria kishte shansin të qeverisej nga më vizionari në politikë, Edi Rama. Dhe sot, nëse ai nuk e ka kuptuar duhet t’ja themi: zhgënjimi ndaj tij është në përpjestim të drejtë me shpresën që ngjizi. Dhe zhgënjimi vjen ngase ai ka agravuar më rëndë akoma thelbin e keq të politikës. Shqipëria e tij është shumë më estetike si e djeshmja, por substanca saj, sëmundjet e saj gjenetike nga politika janë dhe më të rënda. Dhe kjo është ajo humnera mes faktit dhe pecetimit që e mundon Ramën.
Sepse, le të kujtojmë se Rama dhe të ngjashëm me të në qëndrime dikur përballë Berishës së parë konkludonin se shteti shqiptar është armik i popullit shqiptar, ndaj sot pyesim: a arriti Rama ta paqtojë shtetin me populli, t’i bëjë partnerë, t’i bëjë ta dashur për njëri-tjetrin, më respektues? Aspak! E thelloi dhe me keq këtë ndasi.
Po ashtu, vëreni kontradiksionin e madh mes Ramës në opozitë dhe në qeverisje. Kur një udhëheqës prodhon kontradikta kaq të frikshme e të marrëzishme në të thënat e në të bërat e tij, ai është për t’u trajtuar si pacient e jo për të qeverisur. Dhe para se të na ofrojë Besa-n, ai duhet të na sqarojë: pse inkoherenca e tij është pikërisht kaq e frikshme?
Harmonia, kjo fjalë e ëmbël e shqipes, ky koncept që i jep shkëlqim çdo pune të bukur njerëzore, është ndër mungesat më të hatashme në karakterin politik të Ramës, pa kaluar në atë njerëzor. Siç në artin e tij, ai godet me ngjyra e forma, por nuk josh me harmoni. Ndaj dhe uvertura e ligjërimit të tij, edhe pse mund të tërheqë në çast, në kohë bëhet e padëgjueshme.
Dhe në fund rikthehemi te Enveri: duam të dimë se pse Rama e urrente apo e urren ish-diktatorin dhe pushtetin e tij dhe ku dallon nga ai?! Sepse për dreq, edhe këngët e vallet për të në inaugurimin e veprave publike i pranon dhe i përjeton si një Enver! /tesheshi

