Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani rikonfirmoi të mërkurën angazhimin e vendit të tij për zgjidhjen me dy shtete, duke thënë se krijimi i një shteti palestinez përkrah Izraelit mbetet e vetmja rrugë e besueshme drejt paqes afatgjatë, transmeton Anadolu.
Duke folur në hapjen e ditës së dytë të takimit të Aleancës Globale për Zgjidhjen me Dy Shtete në Romë, Tajani tha se siguria e Izraelit duhet të garantohet, ndërsa ecet përpara me krijimin e një shteti palestinez, sipas transmetuesit Rai.
“Një shtet palestinez përkrah Izraelit, siguria e të cilit duhet të garantohet gjithmonë, është objektiv nga i cili nuk mund të heqim dorë. Kjo është e vetmja perspektivë e besueshme për t’u dhënë izraelitëve dhe palestinezëve një të ardhme paqeje, pasi ata janë dy popuj që kanë vuajtur shumë”, tha ai.
Tajani tha se Italia vazhdon të mbështesë Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe planin e paqes me 20 pika, që synon krijimin e “një rruge të besueshme dhe konkrete drejt paqes”, bazuar në bashkëjetesën paqësore, sigurinë dhe prosperitetin në të gjithë rajonin.
Duke iu referuar përshkallëzimit të fundit të dhunës në Bregun Perëndimor të pushtuar, Tajani shprehu “shqetësim të thellë” për përkeqësimin e situatës.
“Ne dënojmë fuqishëm dhunën e kolonëve kundër civilëve palestinezë, e cila është përshkallëzuar ditët e fundit, duke prekur fshatra, familje dhe vende të shenjta”, tha ai.
Ai përsëriti kundërshtimin e Italisë ndaj zgjerimit të vendbanimeve kolone dhe çdo lëvizjeje drejt aneksimit, duke paralajmëruar se veprime të tilla minojnë mundësinë e zbatimit të zgjidhjes me dy shtete.
“Vetëm njohja reciproke e të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë së të dy popujve mund të krijojë kushtet për një paqe të vërtetë”, shtoi Tajani.
Ministria e Jashtme e Italisë organizoi takimin dyditor të Aleancës Globale për Zgjidhjen me Dy Shtete, ku morën pjesë delegacione nga Liga Arabe, Egjipti, Britania, Gjermania, Zvicra, Maroku, Holanda, Turqia, Katari, Kanadaja, Brazili, Meksika, Irlanda, Italia, Japonia, Franca, Spanja, Jordania, Indonezia, Arabia Saudite, BE-ja dhe Norvegjia, si dhe përfaqësues nga Palestina dhe OKB-ja.

