Hafiz Alban Doli nga Gjakova u shpall fitues në kategorinë e Hifzit të plotë të Kur’anit Famëlartë në edicionin e katërt të Garave Ndërkombëtare të Memorizimit të Kur’anit, të mbajtura nga 26 deri më 29 korrik 2026 në Shkup.
Përfaqësuesit e Kosovës shënuan një sukses të jashtëzakonshëm në këtë aktivitet, duke fituar gjithsej dhjetë nga tridhjetë vendet e mundshme, në konkurrencë me rreth 300 garues nga 29 shtete.
Në kategorinë e dytë, atë të memorizimit të dhjetë xhuzave të Kur’anit, Semra Bashani zuri vendin e dytë te vajzat, ndërsa Marigona Mellova dhe Hana Maloku ndanë vendin e tretë.
Në kategorinë e tretë, memorizimi i pesë xhuzave të Kur’anit, Muhamed Morina fitoi vendin e tretë te djemtë, ndërsa Daria Smajli vendin e tretë te vajzat.
Edhe në kategorinë e katërt, memorizimi i dy xhuzave të Kur’anit, përfaqësuesit e Kosovës arritën rezultate të larta. Amra Shala u shpall fituese e vendit të parë te vajzat, ndërsa Adonis Xhemajli zuri vendin e dytë.
Në kategorinë e pestë, atë të bukurleximit të Kur’anit, Amar Hoxha fitoi vendin e dytë, Unejs Pajaziti vendin e tretë, ndërsa te vajzat Rejana Ajvazi u rendit e dyta.
Bashkësia Islame e Kosovës në këto gara u përfaqësua edhe nga hafëzi Mustafë ef. Dallku, i cili ishte anëtar i komisionit vlerësues. Ai theksoi se, pavarësisht konkurrencës së fortë dhe dallimeve shumë të vogla mes garuesve, komisioni është përpjekur të sigurojë një vlerësim sa më korrekt dhe profesional. Sipas tij, procesi u lehtësua edhe nga përdorimi i aplikacioneve të reja, të cilat mundësuan vlerësim më të saktë të pjesëmarrësve.
Anëtarët e komisionit, në krye me dr. Sami el Avaxhi, vlerësuan se Kosova këtë vit shënoi fitoren më të madhe, duke pasur përfaqësimin më të suksesshëm dhe më dinjitoz ndër të gjitha vendet pjesëmarrëse. /islamgjakova

previous post

