Të 55 federatat anëtare të UEFA-s kanë mbështetur njëzëri bojkotimin e garave të FIFA-s nëse organi drejtues i futbollit botëror vazhdon me planet për të shitur aksione në turnetë e tij investitorëve privatë, sipas një deklarate të lëshuar pas një mbledhjeje urgjente të enjten, transmeton Anadolu
UEFA tha se federatat e saj anëtare “qëndrojnë të bashkuara” dhe kanë refuzuar “njëzëri dhe pa asnjë mëdyshje” propozimin e FIFA-s për të transferuar interesa pronësie në Kupën e Botës dhe garat e tjera të FIFA-s tek investitorët privatë.
“Si rezultat i diskutimit të sotëm, asnjë përfaqësuese kombëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në asnjë garë të FIFA-s për aq kohë sa këto propozime mbeten në fuqi, përveç nëse ky propozim tërhiqet plotësisht dhe jepen garanci detyruese se FIFA nuk do ta hapë më kurrë qeverisjen ose garat e saj ndaj pronësisë private”, thuhet në deklaratë.
“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si një produkt investimi. Ajo është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit… Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”, shtoi UEFA.
Organi qeverisës evropian kritikoi gjithashtu mënyrën se si FIFA e ka trajtuar këtë propozim, duke thënë se ai “u hartua në fshehtësi dhe u soll pranë miratimit pa asnjë konsultim domethënës” me palët e interesuara në futboll.
“Kjo nuk është vetëm një dështim i thellë i lidershipit, por edhe heqje dorë nga detyra e FIFA-s si kujdestare e futbollit botëror”, thuhet në deklaratë.
Mbledhja urgjente u mbajt pas rritjes së kundërshtimeve ndaj propozimit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për krijimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), një filial tregtar që do të mbikëqyrte Kupën e Botës dhe operacionet e tjera komerciale.
Më herët gjatë kësaj jave, FIFA tha se FFE-ja do të mbetet në pronësi dhe nën kontrollin shumicë të FIFA-s, ndërsa investitorët e jashtëm do të zotërojnë vetëm një pjesë të pakicës dhe nuk do të kenë asnjë rol në qeverisjen e futbollit apo në vendimet sportive. Organi drejtues tha se propozimi do të rrisë fondet për zhvillimin e 211 federatave të tij anëtare dhe se do të ecë përpara vetëm nëse miratohet nga shumica e tyre.

