Ushtria iraniane tha të enjten se ka shënjestruar objekte të rëndësishme ushtarake amerikane në Bazën Ajrore Sheikh Isa në Bahrein me dronë sulmues njëdrejtimësh, në kuadër të shkëmbimit të sulmeve mes Teheranit dhe Washingtonit në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zyra e marrëdhënieve me publikun e ushtrisë tha se operacioni u krye në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e një piloti të Forcave Ajrore Iraniane të avionit Su-24 në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në shkurt, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.
Sipas deklaratës, dronët goditën gjeneratorë elektrikë, sisteme navigimi dhe ndërtesa administrative e mbështetëse të përdorura nga ushtria amerikane në Bazën Ajrore Sheikh Isa.
Ushtria pretendoi se sulmet e përsëritura ndaj bazave amerikane në rajon gjatë ditëve të fundit u kanë shkaktuar “dëme të konsiderueshme” pajisjeve dhe objekteve ushtarake, pavarësisht se bazat mbrohen nga sisteme të shumta të mbrojtjes ajrore.
Ajo e përshkroi Bazën Ajrore Sheikh Isa si një nga instalimet më të rëndësishme ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, duke thënë se ajo pret avionë zbulues dhe shërben si qendër kryesore mirëmbajtjeje për helikopterë dhe komponentë dronësh.
Deklarata pretendoi se sulmet e përsëritura nga forcat e armatosura iraniane i kanë shkaktuar dëme serioze kapaciteteve luftarake dhe logjistike të bazës.
Nuk pati menjëherë koment nga autoritetet e Bahreinit apo ato amerikane lidhur me këtë pretendim.

