Një burim zyrtar saudit ka thënë se sulmi i mbretërisë në Irak erdhi pasi “të gjitha masat diplomatike dhe politike ishin shteruar” dhe pasi Riadi kishte ushtruar “përmbajtje maksimale” gjatë muajve të fundit, raportoi televizioni shtetëror saudit, transmeton Anadolu.
“Mbretëria është e interesuar për marrëdhëniet e saj me Irakun, qeverinë dhe popullin e tij”, ka thënë burimi për televizionin Al-Ekhbariya, duke shtuar se sulmi ajror “nuk ishte drejtuar kundër qeverisë irakiane apo popullit irakian”.
“Përgjigjja saudite erdhi pasi të gjitha masat diplomatike dhe politike u shteruan dhe pasi u ushtrua niveli më i lartë i përmbajtjes gjatë muajve të fundit”, ka thënë burimi.
“Operacioni shënjestroi kapacitetet e milicive që kërcënonin sigurinë e mbretërisë dhe goditën objektet e saj jetike civile dhe ekonomike”, ka shtuar ai.
Duke e përshkruar sulmin si “përgjigje të saktë dhe të kufizuar”, burimi ka thënë se ai ishte kufizuar në magazina ushtarake që u përkisnin milicive dhe ishte kryer në përgjigje të sulmeve ndaj territorit saudit.
“Milicia terroriste dëmton interesat e Irakut dhe marrëdhëniet e tij me vendet arabe dhe islamike, si dhe i kthen tokat dhe kapacitetet e tij në një mjet agresioni kundër shteteve fqinje të Irakut”, ka thënë burimi.
“Ajo që po promovohet nga palë brenda dhe jashtë Irakut për të nxitur përçarje sektare nuk i mashtron njerëzit e mençur të Irakut dhe publikun e tij të ndërgjegjshëm”, ka deklaruar burimi, duke shtuar se këto palë nuk duan që Iraku të ndërtojë afrime që forcojnë sigurinë dhe stabilitetin e tij.
Deklaratat erdhën disa ditë pasi Arabia Saudite dhe SHBA-ja kryen sulme, për të cilat thanë se kishin shënjestruar objekte logjistike dhe depo armësh të grupeve të lidhura me Iranin, si përgjigje ndaj sulmeve me dronë ndaj objekteve të naftës dhe bazave ushtarake në rajon.
Të mërkurën, Forcat e Mobilizimit Popullor të Irakut (PMF) thanë se 20 nga anëtarët e saj u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore që goditën selitë e saj zyrtare në shtatë provinca.
Pas sulmeve, e ashtuquajtura “Rezistenca Islamike në Irak” i dha qeverisë irakiane afat deri në mes të gushtit për të ndërmarrë atë që e quajti masa të vendosura kundër “agresorëve”, duke kërcënuar me sulme ndaj forcave amerikane dhe saudite.

