RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Poliçani si “termometri politik” i së majtës: ç’peshë do të ketë rebelimi publik ndaj Ramës?

policani-si-“termometri-politik”-i-se-majtes:-c’peshe-do-te-kete-rebelimi-publik-ndaj-rames?

Protesta kundër shkrirjes së bashkisë, ka ringjallur kujtesën e revoltës së vitit 1992

Qytetarët e Poliçanit dolën mbrëmjen e djeshme në një protestë masive kundër reformës së re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e bashkisë së këtij qyteti. Me pankarta në duar, ku lexohej “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit” dhe “Deputetë dele, mos e votoni reformën”, qindra banorë u mblodhën në sheshin kryesor, duke e kthyer protestën në një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama.

Ngjarja mori një ngarkesë edhe më të fortë simbolike kur kreu lokal i Partisë Socialiste, Erjon Zylyftari, dha dorëheqjen publikisht, ndërsa një pjesë e protestuesve dogjën teserat e partisë. Në fund të tubimit u firmos edhe një peticion kundër ndryshimit të statusit administrativ të qytetit.

Por domethënia e kësaj proteste shkon shumë përtej kufijve të një debati lokal. Historikisht, Skrapari ka qenë një nga bastionet më të rëndësishme të së majtës shqiptare, një krahinë me peshë të veçantë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe një territor që i ka dhënë vendit ministra, deputetë, rektorë universitetesh, diplomatë dhe funksionarë të lartë shtetërorë.

Në zgjedhjet e vitit 1992, kur Partia Demokratike fitoi pushtetin në rang kombëtar, Skrapari mbeti një nga zonat e pakta ku Partia Socialiste, e dalë nga hiri i Partisë së Punës, arriti një fitore të thellë.

Pikërisht në atë periudhë nisi edhe ngjitja politike e Ilir Metës, i cili u shndërrua shpejt në një nga figurat më të spikatura të së majtës shqiptare.

Kujtesa historike e Poliçanit lidhet ngushtë edhe me revoltën e vitit 1992, e konsideruar si greva e parë e madhe sindikaliste në Shqipërinë pluraliste. Protestat nisën në prill pas krizës së Kombinatit Mekanik, kur qindra punëtorë mbetën pa paga dhe u përballën me rrezikun e humbjes së vendeve të punës.

Grevat e urisë dhe demonstratat e fuqishme u shndërruan shpejt në një krizë politike, e cila tronditi qeverinë demokrate të Alekandwr Meksit të sapoformuar dhe ndikoi drejtpërdrejt në debatin parlamentar të kohës.

Sot, më shumë se tri dekada më vonë, Poliçani duket se po rikthehet sërish në qendër të vëmendjes politike. Në protestë morën pjesë edhe figura të njohura publike me origjinë nga ky qytet, mes tyre gazetarja Odeta Dume, drejtuese e Shoqatës “Poliçani”, e krijuar së fundmi, si edhe aktorja Egla Ceno.

Pyetja që shtrohet tani është nëse revolta e Poliçanit do të mbetet një reagim i izoluar apo do të shndërrohet në një sinjal më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë. Në politikën shqiptare, Poliçani ka dëshmuar disa herë se, kur lëviz, pasojat e tij nuk mbeten kurrë vetëm brenda kufijve të Skraparit.

Në këtë kuptim, rebelimi i fundit mund të jetë jo vetëm një betejë për mbijetesën administrative të qytetit, por edhe një test i rëndësishëm për marrëdhënien e Edi Ramës me bazën tradicionale të së majtës. tesheshi

Related posts

Vendet nordike thellojnë bashkëpunimin pas agresionit rus

admin

Pas fjalimit në Kongresin amerikan, Netanyahu viziton trupat izraelite në Rafah

admin

Ndalet procesi i numërimit të votave nën dyshimet për manipulim/ Çfarë po ndodh në Mitrovicë të Jugut?

admin